Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Partinë Demokratike për mënyrën se si po e zhvillon fushatën elektorale, duke u shprehur se PD po bën një fushatë infektimesh.
“Fushata elektorale është këtë herë një aneks i aktivitetit, sepse epiqendra e aktivitetit është vaksinimi, jo thjesht në sensing e vaksinimit praktik, por në sensin e punës që duhet bërë çdo ditë që duhet pasur garancinë që procesi shkon ashtu siç është planifikuar. Është fat që kemi në krye ministren e shëndetësisë. Kemi garantuar një sasi të mjaftueshme, por jo sasinë e nevojshme.
Fushata është një aneks i këtij aktiviteti, por është e rëndësishme. Besoj se është një fushatë shumë interesante sepse zhvillohet në kushte të çuditshme, por e bën interesante sepse fjala ka më shumë peshë, komunikimi është më shumë i bazuar në atë që thuhet sesa emocioni që krijon turma.
Ne po e ndihmojmë këtë fushatë vaksinimi duke u kujdesur të zbatojmë rregullat dhe të mos jemi pjesë e programit të infektimit. Pala tjetër po bën një fushatë infektimesh. Më rrëqethet mishi kur marr parasysh eksperiencën e Malit të Zi, ku me marshime të njëllojta njerëzish që harruan se nëpër këmbë ishte hija e vdekjes, patën numër të madh viktimash nga marshuesit e këtyre aktiviteteve”, tha Rama.