Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar në lidhje me mega-operacionin “Dobra” në Spanjë, kundër krimit të organizuar në fushën e narkotikëve, ku ranë në pranga 107 persona, mes të cilëve 60 prej tyre ishin shqiptarë.
Çuçi thekson se “Organizata e goditur është transnacionale, e përfshirë në trafikimin dhe kultivimin e gjerë të marijuanës”, duke shtuar se hetimet nuk do të ndalen, por do të vijojnë me hetimin e burimit të pasurive në Shqipëri, të gjithë personave të implikuar.
Më tej ministri shkruan se ky është një tjetër operacion ndërkombëtar i cili dëshmon kapacitet në nivele të larta profesionale dhe besueshmërinë e Policisë Shqiptare.
“Policia Shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Spanjolle dhe atë Gjermane, me mbështetjen e EUROPOL, përmbyllën një mega-operacion në Spanjë, kundër krimit të organizuar në fushën e narkotikëve, me origjinë shqiptare. Organizata e goditur është transnacionale, e përfshirë në trafikimin dhe kultivimin e gjerë të marijuanës.
Oficerë të Policisë së Shtetit operuan në Spanjë së bashku me kolegët e tyre, për çmontimin e grupit. Por hetimet nuk do të ndalen këtu, pasi do të vijojnë me hetimin e burimit të pasurive në Shqipëri, të gjithë personave të implikuar.
Ky është një tjetër operacion ndërkombëtar që dëshmon kapacitete në nivele të larta profesionale dhe besueshmërinë e Policisë Shqiptare.
Megjithatë jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë përpara, për të renditur Policinë e Shtetit brenda mandatit të tretë, mes Policive të vendeve europiane. Gjithashtu për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt, për të ardhmen e fëmijëve tanë.”, shkruan Çuçi.
Kujtojmë se ditën e sotme 107 persona u arrestuan në Spanjë në kuadër të një operacioni të madh antidrogë, ku janë përfshirë policitë e Spanjës, Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Neësbomb.al mësoi se nga 107 persona të arrestuar, 60 janë shtetas shqiptarë.
Sipas EUROPOL, grupi kriminal menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë, para se ajo të transferohej në vendet e tjera evropiane për shpërndarje të mëtejshme. Në ditën e aksionit, rreth 400 policë në terren kryen bastisje të njëkohshme në 42 vende të ndryshme.
Rreth 1 ton drogë dhe rreth 25.000 bimë marijuanë janë sekuestruar përgjatë 51 kontrolleve të kryera në Tarragona, Barcelona, Girona dhe Castellón, si dhe 70.000 euro cash, një revolver, një armë gjahu, një bllokues frekuencash dhe tre automjete, dy prej tyre të nivelit të lartë (luksoze).