Merkel mbështet Tsipras

0
3

Angela Merkel ka shprehur bindjen e saj se zgjidhja e emrit të Maqedonisë është zgjidhja e një ngërçi historik, që mban peng marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në një pjesë të madhe të saj edhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

“I jam mirënjohëse Aleksis Tsiprasit, i cili punoi së bashku me zotin Zaev për zgjidhjen e çështjes së emrit mes dy vendeve. Maqedonia Veriore, kristalizohet situata, riformatohen marrëdhëniet. Nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të përgëzoj kryeministrin grek, pasi zgjidhja e emrit nuk do t’i shërbejë vetëm Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, por gjithë Evropës”, tha Merkel.

Ndërsa Aleksis Tsipras u shpreh: “Zonja Merkel erdhi në një vend krejt ndryshe nga Greqia që gjeti herën e parë që erdhi. Atëherë vendi ishte në buzë të greminës, ekonomia në krizë të thellë, me papunësi tepër të madhe, më shumë se 1 milion të papunë, me krizë të thellë ekonomike dhe pa asnjë shpresë rimëkëmbje”.

“Sot jemi në një fazë tjetër. Kemi dalë nga ajo krizë, me thënë të vërtetën me plagë të rënda, të cilat mbyllen gradualisht, duke mbajtur në këmbë shtetin social. Greqia ka kryer reforma të thella dhe tashmë jemi kampionë në uljen e papunësisë, kampionë në tolerancën shoqërore. Kemi mundur të rrëzojmë mitin e grekut dembel, por edhe të gjermanit të rreptë dhe të padrejtë. Gjatë kësaj periudhe, marrëdhëniet mes dy vendeve tona kaluan një fazë të vështirë, por tashmë ato janë kthyer në marrëdhënie besimi dhe partneriteti. Tashmë, mund të themi se shpëtuam Greqinë, por edhe Evropën, pasi kriza greke ishte edhe krizë e Evropës”, shtoi Tsipras.

Vizita e kancelares gjermane vazhdon me takime me Presidentin e vendit, Prokopis Pavllopulos, kreun e opozitës Kyriakos Micotaqis dhe kryetarët e partive parlamentare dhe faktorë të rëndësishëm të jetës ekonomike dhe politike të vendit.