Merkel në kampin e Aushvic

0
11
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi kampin e vdekjes në Aushvic. Ky është udhëtimi i parë i saj në këtë vend gjatë kohës që ka qenë në detyrë. Ajo mori pjesë në një ceremoni së bashku me një nga të mbijetuarit në kamp si edhe kryeministrin polak Mateusz Morawiecki.

Vizita e saj vjen në mes të një rritje të antisemitizmit gjerman dhe përpara 75 vjetorit të çlirimit të kampit. Regjimi nazist vrau rreth 1.1 milion njerëz, shumica dërrmuese e të cilëve ishin hebrenj, në Aushvic-Birkenau.

Kancelarja u fotografua duke ecur nëpër portat famëkeqe “Arbeit macht frei” (puna ju jep lirinë) në Aushvic. Ajo mbajti një minutë heshtje në të ashtuquajturin Muri i Zi, ku u ekzekutuan mijëra të burgosur, përpara se të shkonte Birkenau ku mbajti një fjalim.

“Kujtimi i krimeve … është një përgjegjësi që nuk mbaron kurrë. I  takon në mënyrë të pandashme vendit tonë. Të jesh i vetëdijshëm për këtë përgjegjësi është pjesë e identitetit tonë kombëtar,”-tha Merkel.

Dhomat e gazit dhe krematoriumi i Aushvicit-Birkenau u ndërtuan  në Poloninë e pushtuar nga nazistët. Dhjetëra mijëra polakë jo-hebrenj, romë, të burgosur të luftës sovjetike, homoseksualë dhe të burgosur politikë u vranë në Aushvic. Më shumë se gjashtë milion hebrenj u vranë gjatë Holokaustit, si pjesë e fushatës naziste për të shkatërruar popullsinë hebraike të Evropës.

Zjarr Tv Ad