Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë të ditur se ambasadorja Yuri Kim ka zhvilluar një takim këtë të hënë me kryeministrin Rama.
Në njoftim bëhet e ditur se është diskutuar për me mënyrat e vijimit të përforcimit të bashkëpunimit në temat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit në vitin 2023.
Deklarata e ambasadës amerikane:
Ambasadorja Kim u takua me Kryeministrin Rama më 12 dhjetor për të rishikuar arritjet në marrëdhënien SHBA-Shqipëri gjatë vitit 2022 dhe për të diskutuar mënyrat për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit gjatë vitit 2023.
Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për udhëheqësinë dhe kontributet e rëndësishme të Shqipërisë gjatë vitit të parë të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Roli i Shqipërisë në KSKB ka qenë me rëndësi kritike për çështje të rëndësishme globale, përfshi mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit nga Rusia.
Ambasadorja Kim njohu kontributet e Shqipërisë në integrimin dhe stabilitetin rajonal, përfshi gjatë thirrjeve të Shqipërisë për vetëpërmbajtje në veriun e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë dënuar të gjitha sulmet ndaj agjencive kosovare dhe ndërkombëtare të sigurisë si dhe kërcënimet për dhunë dhe kanosje, si dhe shprehën mbështetje të plotë për KFOR-in dhe EULEX-in. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë nxitur palët që të punojnë brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që përbëjnë shqetësim.
Ata diskutuan mënyrat për të ndërtuar më tej mbi arritjet historike në marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri, përfshi aftësitë dhe kontributet ushtarake në rritje të Shqipërisë si aleate në NATO. Ambasadorja riafirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë përballë sulmeve kibernetike të Iranit.
Ambasadorja Kim i përcolli përgëzime të ngrohta Kryeministrit për mikpritjen e suksesshme të Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke vërejtur se është hera e parë që një samit i tillë është zhvilluar jashtë Brukselit. Ajo ritheksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendosmërisht integrimin e plotë të Shqipërisë si anëtare e BE-së. Në këtë kontekst, ata diskutuan arritjet, si dhe sfidat, në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Ata ishin në një mendje se është kritike që institucionet e drejtësisë të Shqipërisë të jenë të pavarura dhe të guximshme në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre.
Ambasadorja Kim dhe Kryeministri Rama pohuan se, teksa mbyllim vitin që shënon 100 vjet nga vendosja fillestare e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, partneriteti ynë është më i fortë se kurrë.