“Mesazh mediave të tjera që dalin kundër tij”- Pedagogu i njohur dënon ndërhyrjen e IKMT-së te “Prestige Resort”: Institucionet, mashë në dorën e një njeriu

0
72
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pedagogu dhe aktivisti i njohur Endrit Shabani ka folur mëngjesin e sotëm për aksionin e paligjshëm të IKMT-së në Prestige Resort në Golem dy ditë më parë.

Ai u shpreh në News 24 se në një vend normal ky skandal që kap qeverinë në kushtet e paligjshmërisë në çdo prizëm do të ishte skandal i mjaftueshëm për dorëheqjen e saj.

Shabani e cilësoi të papranueshme sjelljen e kryeministrit Edi Rama duke shantazhuar linjën editoriale të një media dhe duke dhënë mesazh për të tjerët që guxojnë të dalin kundër tij.

“Kemi pasur dhe raste të tjera ku qartazi kjo qeveri sulmon mediat, direkt ose në mënyrë indirekte për t’i dobësuar. Ky është një rast tjetër i mënyrës se si Edi Rama sillet me mediat në Shqipëri.

Koha në vetvete tregon që këta nuk duan t’ia dinë për asgjë. Dhe nëse do ishin para rastit të shkeljes së ligjit, mund të kishin zgjedhur një kohë tjetër që nuk është në mesin e plazhit. I harrojmë konfliktet mes dy palëve, mendo pak çfarë imazhi japim, kur turistët nga e gjithë bota fotografohen pas policëve e fadromave. Sikur realisht të kishin këtë shqetësim, do kishin zgjedhur një kohë tjetër.

Më shqetëson sjellja e kryeministrit përballë një linje editoriale që ai nuk e pëlqen. Problemi shkon te çdo njeri që do të flasë. Asnjë leje e dhënë qoftë dhe me firmën e Edi Ramës nuk të mbron. Institucionet janë mashë në dorën e një njeriu të vetëm. Ky është mesazh për të gjitha mediat e tjera se ky është shkopi nëse thoni atë që nuk duhet.

Jam i sigurt se ajo që ka ndodhur është e dëmshme për turizmin shqiptar. Sa herë dal jashtë Shqipërie, njerëzit ende flasin për çfarë kanë parë në 1997. Ndodhi një episod me një biznesmen që iu hodh sipër makinës, këto gjëra qëndrojnë shumë gjatë online”, tha Shabani.

Sipas tij, edhe sikur të ishte diçka për t’u bërë mund të kishte pritur fundin e sezonit.

“Këta nuk duan t’ia dinë për asgjë. Është pushteti i një njeriu, që kur i leverdis mund të shkojë dhe të hajë një drekë, kur nuk i leverdis i çon fadromat. Këtë e lexojnë të gjithë, dhe mediat e tjera e marrin mesazh; kujdes kur raportoni, në atë që raportoni’. Më shqetëson dhe përgjigjja e qeverisë që thotë ky biznes ka shkelur ligjin. Po çfarë ka bërë qeveria nga 2013. Në të dy anët Edi Rama ka ekspozuar shpërdorimin e detyrës. Në një vend normal, ky do ishte një skandal i mjaftueshëm për dorëheqjen e qeverisë.

Ky është rast në shkelje të ligjit, ne si taksapagues do të paguajmë dëmin që nuk e kemi bërë ne. Do paguajmë dy herë, siç ka ndodhur në raste të tjera kur qeveria ka prishur shtëpi e biznese dhe në vend të paguajë Rama, paguajmë ne si taksapagues. Nëse do ketë një vendim gjykate që e shpall të paligjshëm këtë vendim, dëmshpërblimi duhet të vijë nga xhepi i Edi Ramës, jo i taksapaguesve”, deklaroi pedagogu.

Ai tha se impakti i atyre që kanë rrëfyer turistët do të jetë afatgjatë për turizmin në Shqipëri.

“Ato foto të bëra nga turistë nuk fshihen më. Impakti është afatgjatë, në dëm të gjithë sektorit. Unë shqetësohem në të gjitha nivelet. Nëse jemi në kushtet e paligjshmërisë, pse është shkelur ligji? Nëse jemi në kushtet e abuzimit me pushtetin, çfarë na mbron? Ne nuk jemi në mesjetë, ne kërkojmë shtetin të kufizohet nga ligji. Ky është rast flagrant, Edi Rama ose duhet të jepte dorëheqjen se ka dhënë lejen, ose se ka prishur një objekt të cilit ia ka dhënë lejen vetë.

Bindja ime është që sulmi është ndaj medias që është e lidhur me këtë biznes. Goditet ky biznes për të dobësuar burimin financiar të medias. Kjo tregon çmimin që ka media e lirë në Shqipëri, çmimi që ka fjala. Pavarësisht se shumë njerëz mund ta shohin si rast i izoluar është simptomë e një pushteti që është gjithmonë e më pak intolerant ndaj kritikës”, tha Shabani.

Duke folur për raportin e lirisë së shprehjes, ai theksoi më tej se raste të tilla ndikojnë në notën që Shqipëria do të marrë vitin që vjen nga “Freedom House”.

“Ka një degradim aktual drejt rritjes së kostos dhe represionit ndaj fjalës së lirë. Nuk është as rastësi, as e studiuar. Është shija e pushtetit. Ne kemi arritur në pikën ku tekat e një njeriu të vetëm nuk kufizohen nga asgjë, as nga ligji, as nga institucionet, s vetë nga partia e tij, as nga mediat, as nga gjyqësori.

Një njëri që tekat e veta ka mundësi t’i zbatojë tekat e veta pa asnjë lloj përgjegjshmërie. Në një shtet normal, kur administrate publike punon në fundjavë, paguhet ekstra. Ndaj duhet justifikuar pse duheshin nxjerrë punonjësit në fundjavë për diçka që nuk është urgjente. Nuk kemi të bëjmë me mbrojtjen e interesit publik. Kemi të bëjmë me një individ i cili përdor pushtetin që i kemi dhënë, fondet që i kemi dhënë për të dhënë mesazhe që janë në interes të tij. Pandëshkueshmëria sjell këtë lloj qeverisjeje”, deklaroi Shabani.

Zjarr Tv Ad