Mësuesit e rinj në provim për licensën, datat e provimeve

0
192
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ato nisin nga e hëna e javës që vjen, në datën 18 me mësuesit e arsimit fillor, të cilët janë më të shumtët në numër për të vijuar me ata të shkencave sociale e gjuhëve të huaja. Ky sezon provimesh do të zgjasë gati tri javë, deri në datën 3 prill, dhe do të përfshijë mijëra kandidatë për mësues, të cilët kanë përfunduar studimet bachelor e master, si dhe kanë kryer edhe praktikën e detyrueshme profesionale.

Si fillim, QSHA-ja ka bërë publike edhe listën e kandidatëve që do të testohen përgjatë tri ditëve të para, përbri të cilëve ka vendosur datën dhe orën e saktë. Të gjithë ata që gjejnë emrin në listë, duhet të paraqiten së paku gjysmë ore përpara orës së caktuar, duke mos harruar të marrin me vete mjetin identifikimit bashkë me një kopje të saj, faturën e pagesës bazuar në herën e pjesëmarrjes në testim, si dhe një kopje të diplomave të studimeve që kanë kryer. QSHA-ja tregohet e rreptë me ata që nuk tregohen korrektë, duke mos i lejuar të futen në provim, ndonëse kanë kryer pagesën e tarifës, e cila është e pakthyeshme.

“QSHA-ja nuk do t’u mundësojë kandidatëve, të cilëve u mungojnë dokumentet (tabela ngjitur shkrimit), të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit. Tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit”, thuhet në njoftimin e qendrës së testimeve, i cili ndërkohë u kujton kandidatëve se mund të futen në testim sa herë të duan. Mjafton të paguajnë një tarifë në rritje prej 2500 lekësh mbi tarifën bazë, që është 10 mijë. Ky lehtësim është vulosur vitin e shkuar me vendim qeverie, i cili ka liruar dorën në këtë anë, krahas shtrëngimit të notës mesatare 7 si kriter për t’u futur në një nga degët e mësuesisë.

 

“Të mbahet në vëmendje që, në bazë të vendimit Nr. 560, datë 29.09.2018 të Këshillit të Ministrave, ‘Për përcaktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore’ është parashikuar zhvillimi i provimeve të shtetit nga kandidatët, më shumë se pesë herë”. Sakaq, deri në dhënien e provimit, kandidatët mund të ushtrohen në testime nëpërmjet aplikacionit të provimeve të shtetit. Nga ana tjetër, në faqen zyrtare është në dispozicion dhe fondi i pyetjeve dhe programet orientuese për secilin profesion, nga i cili do të përzgjidhen në mënyrë rastësore pyetjet në tezën finale.

Zjarr Tv Ad