Ramush Haradinaj do të kthehet shumë shpejt në Kosovë. Dy shtetet shqiptare kanë reaguar në mënyrën e duhur për lirimin e tij. Nuk do të jepja këshilla se si të veprojnë udhëheqësit e Kosovës në bisedimet me Serbinë, mirëpo arrestimi i Kryetarit të AAK-së komplikon këto raporte. Bashkimi i partive shqiptare në Maqedoni do të ndikojë në demokratizimin e këtij shteti. Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, flet për “Express”.
Ilir Meta ka vendosur të mos thotë asnjë fjalë që mund të tingëllojë se po përzihet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk jep as këshilla me arsyetimin se Kosova ka institucionet dhe udhëheqësit që bisedojnë dhe marrin vendime në raport me palën serbe.
Sidoqoftë, Kryetari i LSI-së thotë se ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë si pasojë e fletarrestit të Serbisë ndikon drejtpërdrejt në raportet mes Shtetit të Kosovës dhe Beogradit. Meta, gjatë ditës së diel ka qëndruar në Partinë e Ramush Haradinajt, për të cilin thotë se është simbol i gjithë shqiptarëve. Shpreson se shpejt ai do të kthehet në vendlindje, ndërsa thotë se Kosova dhe Shqipëria bënë punë e tyre për lirimin e ish-Kryeministrit të Kosovës të ndaluar në shtetin francez.
Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë nuk tregon nëse do të jetë kandidat për President të Shqipërisë, mirëpo, thotë se më 18 qershor, partia e tij, LSI, do të dalë fituese. S’komenton deklaratat e Thaçit e Ramës për Presidentin e ri të SHBA-së, mirëpo pohon se Donald Trump s’është rastësisht Shef i Amerikës derisa thotë se i çmon deklaratat e tij për Kosovën.
-Cilat janë informacionet e shtetit shqiptar për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë, pasi keni pasur edhe një takim me udhëheqësit e AAK-së?
Është e qartë se ky është një ndalim absurd i mbështetur në kërkesat e vjetra të Serbisë ndaj z. Haradinaj, por edhe me sa duket edhe figurave tjera të UÇK-së. Ne shpresojmë dhe besojmë se autoritetet franceze do të japin zgjidhje të shpejtë kësaj situate dhe z. Haradinaj do të kthehet në Kosovë.
-Kishte kritika në drejtim të dy shteteve se nuk u reagua si duhet dhe nuk po bëhet presion i mjaftueshëm mbi shtetin francez për të liruar ish-Kryeministrin…
Mund të them se reagimet ishin të menjëhershme. Nga ana e Shqipërisë kanë reaguar të gjitha autoritetet shtetërore. Veç kësaj, janë marrë iniciativa konkrete si në rrugë diplomatike, si nga ana e Ministrit të Drejtësisë, i cili menjëherë i ka drejtuar një letër homologut të tij francez. Të dy ambasadorët: të Shqipërisë dhe të Kosovës në Francë kanë bërë përpjekje të koordinuara për të kërkuar një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë të kësaj çështjeje dhe për të qenë sa më afër z. Haradinaj në këto momente.
-Çfarë duhet të bëjë Kosova në raport me Serbinë që të mos ketë raste të tilla të fletë-arresteve ndaj qytetarëve të Kosovës? Opozita në Kosovë ka propozuar edhe ndaljen e bisedimeve me palën serbe…
Nuk do të doja të jepja një këshillë, sepse autoritetet e Kosovës kanë gjithë përgjegjshmërinë dhe përvojën për të vepruar në mënyrë më të mirë, në mbrojtje të interesave të Kosovës, të qytetarëve të saj dhe të drejtave të tyre. Por, natyrisht, duhen bërë përpjekje të mëdha sidomos në raport me BE-në, por edhe me SHBA-në. E theksoj BE-në për shkak edhe të dialogut, që edhe aq shumë mbështetet për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. T’i tregohet qartë Serbisë se veprime të tilla, insistime të tilla nuk i shërbejnë as dialogut, as rritjes së mirëkuptimit dhe të ardhmes së rajonit.
-Cilat janë raportet tuaja personale me z. Haradinaj? Si e njihni ju liderin e AAK-së?
Z. Haradinaj është i njohur për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Është simbol i sakrificave sublime, që shqiptarët e Kosovës kanë bërë për liri dhe pavarësi e dinjitet. Është një politikan mjaft i përgjegjshëm, i cili është përballur me shumë dinjitet, jo vetëm para drejtësisë ndërkombëtare, por edhe para padrejtësisë, duke fituar ndaj proceseve të montuara ndaj tij, në të kaluarën dhe duke mbrojtur dinjitetin e popullit te tij për liri. Më pas, cilat janë sakrificat e z. Haradinaj dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës, cili është çmimi që ata kanë paguar për këtë gjë, mendoj se është e tepërt të komentohet nga unë, pasi është e njohur botërisht nga gjithë shqiptarët.
-Partitë shqiptare në Maqedoni publikuan një platformë të përbashkët për zgjidhjen e problemeve. Sa besoni se do të zbatohet kjo platformë në Maqedoni?
Problemi kryesor në Maqedoni, viteve të fundit, ka qenë lufta për pushtet midis dy partive kryesore maqedonase, që ka sjellë edhe ngërçin institucional në vend. Aktualisht, kemi një përpjekje mjaft pozitive shqiptare për t’u bërë garant i stabilitetit të Maqedonisë përmes miratimit të një rruge që e demokratizon plotësisht Maqedoninë dhe e ndihmon të futet në shinat e integrimit në BE, duke qenë pjesë e kësaj platforme, kësaj traseje, garantimi i të drejtave të margjinalizuara të shqiptarëve, të bazuara edhe në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutën e Maqedonisë.
-Sa besoni se do të jetësohet kjo marrëveshje kur dihet se ajo e Ohrit vazhdon të mos zbatohet pothuajse në asnjë pikë?
Besoj se Maqedonia ka hyrë tashmë në një rrugë të pakthyeshme të demokratizimit të saj. Faktori shqiptar, edhe pse paradoksalisht, ka mandate më pak në Parlament pas këtyre zgjedhjeve, është një faktor edhe më përcaktues politikisht se më parë, dhe është e rëndësishme se tani shqiptarët duhet të faktorizojnë edhe më shumë veten. Dhe duke faktorizuar vetveten të jenë garant i zgjidhjeve për një Maqedoni anëtare në BE, NATO e faktor stabiliteti në rajon. Nuk do të jetë një proces i lehtë, por ky proces ka filluar.
-Si e shihni përfshirjen e Edi Ramës e Hashim Thaçit në bashkimin e shqiptarëve të Maqedonisë?
Këto janë përpjekje pozitive edhe nga Tirana, edhe nga Prishtina. Por, njëkohësisht, mos të harrojmë, se ishte vetë z. Ali Ahmeti si parti e parë fituese shqiptare e zgjedhjeve që inicioi një platformë bashkimi i forcave tjera shqiptare në Maqedoni. Kjo nevojë bashkëpunimi vjen nga vet faktori shqiptar dhe ne të gjithë do të jemi mbështetës të këtij bashkëpunimi.
-Të flasim pak për raportet me Shqipëri-Serbi. Në fakt, si e shihni ju zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet Shqipëria të ndërmjetësojë në këtë drejtim?
Besoj se keni një dialog tashmë prej kohësh midis autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës me mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, dhe, natyrisht, që Kosova ka përfaqësuesit e vetë. Dhe, Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në mbështetje të këtij procesi, duke mos zëvendësuar asnjëherë autoritetet e Kosovës, por, duke dhënë gjithë mbështetjen që do t’i kërkohet në funksion të një ecurie pozitive dhe të suksesshme të këtij dialogu.
-Ndryshe nga Kryeministri i Shqipërisë ju po hezitoni të flisni në emër të Kosovës. Edi Rama, në vizitën e fundit në Beograd, foli në emër të Kosovës dhe pati shumë debat nëse bëri mirë apo keq. Ju si e shihni një veprim të tillë të Ramës?
Nuk dua të bëhem pjesë e debateve dhe e kritikave të ndryshme. Unë besoj që Shqipëria dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të institucioneve të Kosovës. Ashtu sikurse institucionet e Kosovës do të jenë në mbështetje të institucioneve të Shqipërisë për çdo çështje që neve do të na duhet dhënë.
-Të flasim pak për Shqipërinë. Do të jeni ju kandidat për pozitën e Presidentit?
E kam dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje. Shqipëria ka më 18 qershor zgjedhje dhe e kam bërë të qartë që edhe më 19 qershor do të jem Kryetar i LSI-së, që do të thotë se rezultati i saj do të jetë mjaftë pozitiv dhe unë do të kem arsye të vazhdoj udhëheqjen e kësaj force politike.
-Pas zgjedhjeve të ardhshme do të vazhdoni koalicionin me PS apo do të riktheheni të PD-ja e Bashës?
Lëvizja Socialiste për Integrim pa asnjë diskutim që do të përmbush gjithë detyrimet e saj, sipas marrëveshjes së koalicionit me PS-në, sepse kemi mjaft sfida, të cilat nuk na lejojnë të humbasim asnjë minutë me çështje më pak të rëndësishme, siç është përfundimi i reformës zgjedhore, thellimi i zbatimit të dekriminalizimit dhe zbatimi i plotë i tij, vazhdimi i reformës në drejtësi dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një sfidë mjaft e rëndësishme. Në këtë drejtim, këto çështja kanë vëmendjen më të madhe tonën.
-Cili është pozicioni juaj lidhur me zgjedhjen e Trump për President të SHBA-së?
Jam i bindur që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-së do të vijojnë të forcohen më tej edhe pas këtyre zgjedhjeve. Dhe, besoj se cilado forcë politike firon në Amerikë, raportet me Shqipërinë me SHBA janë strategjike, dhe si një politikan me eksperiencë që jam, besoj se marrëdhëniet tona janë shumë të rëndësishme si me administratën e re, por po kështu edhe me përfaqësuesit e dy palëve në Senat, si ne Kongres dhe në institucionet tjera.
-A do të ndikojë kjo në raportet mes shqiptarëve me Amerikën kur dihet se edhe Thaçi edhe Rama kanë mbështetur hapur Hillaryn për Presidente?
Jam i bindur që se z. Trump është një President jo i rastësishëm dhe që shikon përpara. Në këtë drejtim çmoj shumë deklaratat e tij për Kosovën dhe kur nuk ka qenë i angazhuar politikisht me një saktësi dhe elokuencë të mrekullueshme. Aq më tepër kur eksperienca e tij është e jashtëzakonshme pas një fushate të paimagjinuar nga askush.
-Pra, deklarata e udhëheqësve shtetërorë të Kosovë dhe të Shqipërisë nuk do të kenë ndikim në raportet me Amerikën?
Natyrisht, sepse fushata ka mbaruar dhe tani marrëdhëniet janë institucionale dhe strategjike.
-Kosova po vazhdon të ballafaqohet me problemin e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Pasojë e kësaj s’ka as viza për kosovarët. Si duhet tejkaluar ky problem me të cilin qeveria merret prej fillimit të vitit 2016?
Vlerësoj se shumë përpjekje duhet bërë për të gjetur një mirëkuptim dhe një konsensus për të tejkaluar këtë situatë. Nuk jam ekspert i duhur për të bërë vlerësim konkret. Raportet e Kosovës me Malin e Zi janë shumë të mira. Dhe, Mali i Zi do t’i jemi mirënjohës për njohjen mjaft të shpejt të pavarësisë së Kosovës dhe duket se më shumë se një problem midis Kosovës dhe Malit të Zi është një problem i mirëkuptimit politik këtu dhe më pas edhe i një dakordësimi edhe me Malin Zi.