Meta fajëson KLD: Mbrojti gjyqtarët me shkelje flagrante

0
307
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenca ka reaguar në lidhje me deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë, që akuzoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë se po mbron gjyqtarët e korruptuar. Deklarata e ministres Etilda Gjonaj u bë një ditë pasi KLD rrëzoi kërkesën e saj për të shkarkuar disa gjyqtarë. Në reagimin e Presidencës, përmes zëdhënësit Tedi Blushi, thuhet se vetë ky institucion ka mbështetur kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarëve dhe ja pason topin anëtarëve të tjerë të KLD-së. “Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, shpreh keqardhjen për mosmiratimin e propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e disa gjyqtarëve nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në reagimin e Presidencës. Presidenti Ilir Meta, si kryetar i KLD-së kujton se ka mbështetur të gjithë propozimet e Ministrisë së Drejtësisë që në ditën e parë që është betuar në krye të shtetit. Në kendvështrimin e Presidentit Meta, shkeljet disiplinore të kryera nga disa gjyqtarë të shqyrtuara ditën e djeshme në KLD ishin më tepër se flagrante dhe me pasoja të rënda, ndërsa thotë se votimi i djeshëm për këto raste tregoi se KLD nuk i përgjigjet dot pritmërive të shoqërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë. Edhe Meta bie dakort me ministren Gjonaj për nevojën e reformës në drejtësi. “Mbledhja e ditës së djeshme dhe vendimarrja e shumicës së anëtarëve të KLD-së për procedimin e gjyqtarëve tregon edhe njëherë nevojën ekstreme që ka vendi, për ngritjen dhe funksionimin sa më parë të organeve të reja të sistemit të drejtësisë që janë parashikuar nga reforma. KLD sot funksionon bazuar në dispozita tranzitore dhe kjo gjëndje duhet të marrë fund sa më parë”, vijon reagimi.

Zjarr Tv Ad