Meta i jep dekoratën e lartë studiuesit të njohur Aurel Plasari: Ngriti në nivel bashkëkohor traditën e studimeve shqiptare skënderbegiane

0
63
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi historianin, studiuesin, shkrimtarin dhe përkthyesin e shquar Aurel Plasari me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: “Me mirënjohje studiuesit dhe shkrimtarit, kontribuuesit të palodhur të kërkimit shkencor, që ka ndriçuar vlerat kombëtare me ndikim te veçantë në shoqërinë shqiptare, promovuesit dhe mbrojtësit të identitetit kombëtar dhe europian të shqiptarëve. Në vlerësim të punës së jashtëzakonshme edhe për realizimin e veprës më të suksesshme kushtuar figurës dhe epokës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.”Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimit, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot, bashkë me ju, për të vlerësuar një figurë poliedrike të kombit tonë, autorin e shumë librave dhe eseve, përkthyesin e shumë kryeveprave botërore, historianin, studiuesin, mendimtarin, profesorin e shquar universitar Aurel Plasari.

Veprimtaria e profesor Plasarit, është e gjerë dhe e shtrirë tanimë në gati pesë dekada, duke i ofruar kulturës shqiptare jo vetëm përkthime të shënuara, por në këto 30 vitet e fundit edhe ese me shumë ndikim mbi shoqërinë shqiptare dhe sidomos studime të një rëndësie të veçantë për rolin marrës dhe dhënës të shqiptarëve në qytetërimin europian.

Për këtë veprimtari të gjerë e të suksesshme, profesor Plasari është vlerësuar me çmime e nderime të ndryshme, nga ato më të lartat.Por sot, jemi në një moment të ri, të vlerësimin të veprimtarisë të profesor Plasarit, me dekoratën që mban emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.Jam i bindur se profesor Aurel Plasarit i shkon në mënyrë të veçantë kjo dekoratë me emrin e “poetit të madh të politikës shqiptare”, siç e ka quajtur Montanelli; e “Atletit të Krishtit” siç e thirri Papa Kaliksti III; apo e “heroit semantik të shqiptarëve”, sikurse vetë profesor Plasari e ka përcaktuar.

Vite të tëra të jetës me punë, profesor Plasari, ia ka kushtuar kërkimeve mbi Heroin tonë Kombëtar, për të kulmuar me veprën e tij më të rëndësishme, ndoshta vepër e jetës, “Skënderbeu-një histori politike”.Është vepra që në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, 2018, u vlerësua me Çmimin Shkencor Ndërkombëtar të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, si studimi më i suksesshëm për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.

Duke ngritur në një nivel tanimë bashkëkohor, traditën e studimeve shqiptare skënderbegiane, që zënë fillin me Konicën dhe Nolin. Plasari me këtë vepër e ka nxjerrë në një dritë të re portretin e Skënderbeut, jo vetëm si strateg ushtarak dhe diplomat i zoti, por edhe si një burrë shteti që e integroi Arbërinë e tij, në traktatet e para të Europës politike.

Edhe me veprën e tij më të fundit, “Àrbni gjeografik, historik, kishtar dhe politik”, botim i Akademisë së Shkencave dhe i Akademisë së Studimeve Albanologjike, profesor Plasari, gjithmonë kërkues e studiues është përqendruar përsëri në nxjerrjen në dritë të Mesjetës arbërore, shpesh gabimisht të përfytyruar si “e errët”, duke e rivënë atë në raporte reale jo vetëm me fqinjët, por edhe me Europën e kohës.

Me mirënjohje dhe në vlerësim të punës së jashtëzakonshme për realizimin e veprës më të suksesshme kushtuar figurës dhe epokës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kam kënaqësinë dhe privilegjin të vlerësoj profesor Aurel Plasarin me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

FJALA E AUREL PLASARIT, NË CEREMONINË E VLERËSIMIT ME TITULLIN E LARTË “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”

I nderuar z. President,

Ju falenderoj për vlerësimin që më bëni duke më akorduar këtë dekoratë, që nga vetë prejardhja e fjalës do të thotë “zbukurim”. Ma keni zbukuruar punën. Veçan ju falenderoj ngaqë kjo dekoratë mban emrin e një figure që m’i ka pushtuar shumë nga vitet e mia të punëve, por duke i shndërruar edhe në vite “dashurie”. Figura e Gjergj Kastriotit ka zotëruar në monografinë tanimë të vlerësuar Skënderbeu: një histori politike (2010), doemos që ka nxjerrë krye edhe në përmbledhjen me ese Rrëmbimi i Europës (2008), në punimin monografik Shqipëria dhe shqiptarët në ‘Europën’ e Piut II (2014), deri në atë më në fundit Arbni gjeografik, historik, politik dhe kishtar (2019).

Me mirëkuptimin tuaj, kam ftuar në këtë ditë të mirë për mua një numër modest miqsh, kolegë dhe bashkëpunëtorë, punonjës shkencorë, ndër ta botues dhe njerëz të medias. Me mundësitë e tyre, ata më kanë mbështetur në çfarë kam shkruar e në çfarë më është dashur të botoj. I veçoj miqtë e medias, sepse pa dashamirësinë e tyre për albanologjinë, për debatet mbi historinë dhe rishkrimin e saj, neve që shkruajmë do të na mbetej të flisnim me veten ose, shumë-shumë, vetëm koleg me koleg.

Përveç këtij akti të sotëm, ju z. President keni kryer disa akte në mbështetje të shpallur të studimeve albanologjike dhe të institucioneve të tyre. Duke shprehur një mbështetje të tillë për studimet në fjalë dhe institucionet përfaqësuese të tyre, keni nderuar institucionin që përfaqësoni dhe më lejoni t’jua përsëris falenderimet për ato akte që ngrenë peshë në një kohë jo ndër më të mirat për studimet albanologjike, ndonëse nuk është kjo ceremoni vendi për t’i bërë anatomi një kohe të këtillë.

Vetë nuk jam ëndërrimtar në kuptimin leninist, pra jam i ndërgjegjshëm që zhvillimi i atyre që i quajmë në gjuhën profesionale dije humanistike është në lidhje të ndërsjellë me zhvillimin e një shoqërie të tërë. Vetëm duke u zhvilluar sa më shumë një shoqëri do përparojnë më shumë edhe dijet humanistike duke u bërë edhe ato vetë, nga ana e tyre, kontribuese të zhvillimit të shoqërisë.

Edhe për këtë arsye vlerësimin që më bëni sot me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e konsideroj një akt më shumë në të mirë të studimeve albanologjike sidomos në rrethanat e një kohe, siç e cilësova, jo ndër më të mirat për studime të tilla.

Ju faleminderit.

Zjarr Tv Ad