Meta jep mesazhin për Ditën e të Moshuarve: Të rriten menjëherë pensionet…

0
15
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Data 1 Tetor përkon me Ditën Botërore të të Moshuarve, ndaj të cilëve nuk u ka munguar urimi i Presidentit Ilir Meta. Në një shkrim në Facebook, shpreh mirënjohje për gjithçka kanë bërë për atdheun, ndërsa theksoi se duhet të rriten pensionet, pasi të ardhurat mujore nuk u mjaftojnë për të paguar ilaçet, dritat apo ujin.

Sipas Metës, blerja e gjelit të Vitit të Ri, nuk është e mjaftueshme dhe të moshuarit kanë nevojë zgjidhje të qëndrueshme.

Statusi i plotë: Mirënjohje, respekt dhe vlerësim ndaj gjithë të moshuarve të Shqipërisë, që aq shumë kanë dhënë për përparimin dhe begatinë e familjeve dhe Atdheut tonë. Pavarësisht kontributeve dhe sakrificave të jashtëzakonshme në këtë drejtim, Dita Botërore e të Moshuarve, e gjen sot këtë kategori të margjinalizuar, në gjendje tejet të rënduar, pothuajse të braktisur nga shteti dhe të shkëputur nga fëmijët e larguar masivisht në emigrim.

Trajtimi me pensione të ulëta dhe indeksimet minimale, e bëjnë ende të papërballueshme jetesën e tyre, në raport me çmimet e tregut dhe kostot e jetesës ndër më të lartat në rajon, aq sa të ardhurat mujore, nuk u mjaftojnë as për të paguar ilaçet, energjinë elektrike dhe ujin.

Me nivelin më të lartë të sëmundshmërisë, trajtimi i tyre shëndetësor nga institucionet shtetërore, në raport me të ardhurat dhe nevojat që ka kjo kategori, është thuajse i papërfillshëm. Braktisja, vijon të jetë gjithashtu një plagë e rëndë.

Vetmia që përjeton kjo kategori prej shpopullimit, dramës së madhe të popullit tonë dhe familjes shqiptare në vitet e fundit, është e papranueshme dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme, duke rikthyer shpresën në radhë të parë për fëmijët e tyre, për të ndërtuar të ardhmen në vendin tonë dhe pranë familjeve.

Rritje të ndjeshme dhe të menjëhershme të pensioneve, ndihmë ekonomike të prekshme për përballimin e kostove të medikamenteve, energjisë elektrike dhe ujit, si dhe trajtim të veçantë shëndetësor e social, janë disa masa efektive që meritojnë adresim të menjëhershëm.

Është koha për të kthyer në veprim, shërbimin me përulje dhe vlerësimin e merituar ndaj tyre, jo vetëm me mbulimin e pagesës për blerjen e gjelit për Vit të Ri, por nëpërmjet masave konkrete që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme, solidaritet dhe përkrahje.

Zjarr Tv Ad