Meta kritikë me Bashën: Opozita serbe u bashkua për të mundur Millosheviçin

0
10

Presidenti Ilir Meta e krahason udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama me Sllobodan Millosheviçin dhe për këtë e këshillon Bashën që të ndjekë shembullin e opozitës serbe.

Në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2000 Presidenti serb u mund nga Vojisllav Koshtunica, ndërsa pak ditë pas disfatës Millosheviç u detyrua të pranojë humbjen pas një demostrate të madhe  ku protestuesit u futen brenda Parlamentit.

“Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra.Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës. Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi”, – shkruan Meta.

Prandaj Kreu i Shtetit i kërkon Lulzim Bashës që të bashkojë opozitën dhe të futen në zgjedhje, pavarësisht se ka përfunduar afati i regjistrimit të subjekteve për 13 Tetorin. Madje Meta i kujton kreut të PD se sjelljet e gabuara mund të çojnë në bashkëfajësi në humbjen e 18 tetorit.

“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten. Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi”, – shkruan Meta.

Thirrjeve të vazhdueshme të Presidentit Ilir Meta, nuk kanë marrë përgjigje nga dyshja Rama-Basha, të cilët nuk duan t’i prishin pushimet e verës.