Meta: Marrja e Presidencës së BE nga Kroacia, mundësi e shtuar Shqipërisë për çeljen e negociatave

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti Ilir Meta e ka parë me shumë optimizëm për çeljen e negociatave të vendit, marrjen e Presidencës së BE nga Kroacia. Nga ky shtet ku ai po zhvillon një vizitë zyrtare, Meta ka shkruar sot në Fb:

“Takim mjaft i frytshëm dhe konstruktiv me Kryeministrin e Kroacisë, z. Andrej Plenkovic mbi marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dhe politike mes dy vendeve tona. Ndamë të njëjtin qëndrim se integrimi europian i Shqipërisë dhe rajonit, janë e vetmja alternativë e të ardhmes sonë të përbashkët.

Marrja e Presidencës së BE për herë të parë nga Kroacia dhe qëndrimi i saj pro zgjerimit, mundësi e shtuar për Shqipërinë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian gjatë Samitit të Zagrebit në maj 2020.

Bashkëpunimi ekonomiko-tregtar, do të marrë një shtysë të re me vendosjen e linjës direkte ajrore Tiranë-Zagreb dhe ndërtimin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian IAP”përfundon Meta.

Presidenca dha më shumë detaja nga vizita shtetërore e Metës në Zagreb, ku Presidenti i Shqipërisë u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Kroacisë, z. Andrej Plenkovic.

Kreu i Shtetit e falenderoi Kryetarin e Qeverisë kroate për mbështetjen e shkëlqyer dhe pa rezerva që Kroacia i ka dhënë rrugëtimit europian të Shqipërisë. “Marrja e Presidencës së BE për herë të parë nga Kroacia dhe qëndrimi i saj pro zgjerimit është një mundësi e shtuar për Shqipërinë dhe rajonin në funksion të perspektivës europiane”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i shtetit theksoi se “do të dyfishojmë e trefishojmë përpjekjet tona në javët që vijnë, në muajt që vijnë, në mënyrë që Samiti i Zagrebit në maj 2020 të rezultojë me një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”.

Presidenti Meta dhe Kryeministri Plenkovic ndanë të njëjtin qëndrim se integrimi europian i Shqipërisë dhe rajonit janë e vetmja alternativë e të ardhmes sonë të përbashkët.

Liderët ranë dakord se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duhet të ngrihet në të njëjtin nivel me partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer politik. Presidenti Meta theksoi se lidhja direkte ajrore Tiranë-Zagreb do t’i shërbente forcimit të këtij bashkëpunimi, si dhe ndërlidhjes mes nesh.

Një tjetër projekt ambicioz është ndërtimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian IAP, si zgjatim i TAP, që do të ndërlidhë më shumë vendet tona në fushën energjitike dhe do të diversifikojë burimet e energjisë.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu kënaqësinë që komuniteti shqiptar në Kroaci, përfaqësohet në Parlamentin kroat me deputeten, znj. Ermine Lekaj Prljaskaj, një tjetër tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate.

Gjatë takimit, kreu i shtetit vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e liberalizimit sa më parë të vizave mes BE-së dhe Kosovës, për t’i dhënë fund izolimit të pamerituar të qytetarëve të saj.

Zjarr Tv Ad