Presidenti i Republikës Ilir Meta ka publikuar në faqen e tij në facebook një mesazh ku shpjegon mbështetjen e tij për Aleancën e Mbrojtjes së Taatrit Kombëtar në aplikimin e saj drejtuar organizatës prestigjoze “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Ai ka ndarë me ndjekësit e tij edhe një video ku kreu aktual i qeverisë fliste pak vite më parë për qendrën e Tiranës ku ngrinte zerin për mbrojtjen e qëndres historike të Tiranes.
Ja postimi i plotë i Metës:
Të dashur miq!
Po ju njoh me faktin se dje i kam dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për të konfirmuar mbështetjen time në aplikimin e saj drejtuar organizatës prestigjoze “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Po kështu të gjitha qëndrimet e mia në mbrojtje të trashëgimisë historike e kulturore të Tiranës, kanë qenë dhe janë në koherencë të plotë për këtë çështje prej 20 vitesh.
Dëgjoni ju lutem kryeministrin aktual, z.Rama se si e konfirmonte këtë fakt në vitin 2000, kur shërbente me devocion të jashtëzakonshëm si ministër Kulture, në qeverinë që unë drejtoja.