Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjarëve të artistes së madhe Anita Take, e cila u nda nga jeta ditën e djeshme.
Mesazhin kryeparlentari u’a drejton dy djemve të saj, ndërsa artisten e ndjerë e cilëson si zonjë të rëndë të muzikës së lehtë shqiptare.
Ndërsa e cilëson zonjë të skenës, a i shton, “Me interpretimin fantastik, me kurajon e shërbesës, me virtuozitetin dhe elegancën e saj të pakrahasueshme, Anita Take ishte, është dhe do të jetë një nga ikonat më të shndritshme të kujtesës sonë kolektive”.
Mesazhi i ngushëllimit i kreut të Kuvendit
I dashur Kujtim dhe Florian,
Me hidhërim të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të nënës suaj të shtrenjtë Anita Take, Zonjës së Rëndë të muzikës së lehtë shqiptare.
Anita Take është artistja e dashur për disa breza shqiptarësh që e kanë ndjekur në skenë, që e kanë dëgjuar në radio dhe e kanë duartrokitur për gati një gjysmë shekulli edhe mbas ekranit të televizionit dhe në festat vetjake.
Anita Take i ka shoqëruar gjatë shqiptarët në jetën e tyre duke jua bërë edhe më të gëzueshëm gëzimet, më të ndritshme jetën; i ka ndjekur me dashuri në dashuritë e tyre duke u bërë pjesë e ndjenjave të një kombi me zërin e saj të pakrahasueshëm.
Me interpretimin fantastik, me kurajon e shërbesës, me virtuozitetin dhe elegancën e saj të pakrahasueshme, Anita Take ishte, është dhe do të jetë një nga ikonat më të shndritshme të kujtesës sonë kolektive.
Sepse afroi lumturi dhe buzëqeshje edhe atëherë kur lumturia dhe buzëqeshjet ishin të vështira dhe të rralla.
Ishte një Zonjë që diti të ishte Zonja e Skenës!
Ishte buzëqeshja skenike e një shpirti të buzëqeshur!
Anita Take ishte dhe do të mbetet një nga yjet më të ndritshëm të një plejade të gjatë artistësh që i kanë dhënë ngjyrë një epoke të historisë së vendit, i dhanë përkushtim dhe dashuri duke siguruar në këmbim duartrokitjet dhe mirënjohjen e një publiku që e donte siç dhe vetë Anita e donte pafund!
Duke kujtuar të madhen Anita Take, mendimi shkon edhe tek ati juaj i veçantë; kompozitori Agim Prodani. Për vite dhe vite me radhë ata do të vazhdojnë “…të vijnë netëve në gëzimet tona…” për t’i bërë ato më të ndritshme me muzikën e tyre plot dashuri. Do të vijnë bashkë si pjesë e të shkuarës sonë të përbashkët për të rrugëtuar në të nesërme me më shumë dritë e shpresë.
Më lejoni, i dashur Kujtim dhe Florian, t’ju shpreh dhe njëherë ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e nënës suaj Anita Take dhe ikjen e artistes sonë të dashur!
Sot jemi të gjithë të lënduar nga kjo humbje e trishtuar!