Meta në Kushtetuese, avokati Daci: Nuk ka argumente për shkarkimin e tij. Procedurat në shkelje me ligjin

0
32
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas më shumë se 10 orësh në një seancë maratonë ditën e djeshme 1 shkurt, Gjykata Kushtetuese e shtyu vendimin për shkarkimin ose jo të presidentit Meta për të enjten e tre shkurtit.

Në lidhje me këtë çështje avokati Jordan Daci, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj është shprehur se nuk ka argumente për të cilat Kushtetuta parashikon shkarkimin e Presidentit. Ndër të tjera Daci u shpreh se veprimet për të cilat akuzohet Presidenti nuk janë shkelje të rënda Kushtetuese.

Jordan Daci: Unë mendoj se nuk ka argumente nga ata për të cilat Kushtetuta parashikon shkarkimin.  Sigurisht që Presidenti ka vepruar në një situatë jo të zakontë ku ishte i vetmi institucion që nuk ishte pjesë e sistemit që kontrollohej  nga një dorë e vetme. Duhet të kemi parasysh që veprimet që akuzohet apo mosveprimet nuk janë shkelje të rënda kushtetuese. Shkelje të rënda kushtetuese janë ato që Kushtetuta parashikon si shkaqe për shkarkim.

Ai tha se çështja për shkarkimin e Presidentit ka edhe probleme të karakterit procedural, pasi sipas tij i gjithë procesi është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Avokati u shpreh se Komisioni Hetimor nuk mund të ngrihet nëse Presidenti ka më pak se 4 muaj nga përfundimi i mandatit.

Jordan Daci: Kjo çështje ka edhe probleme të karakterit procedurial kushtetues për shkak se i gjithë procesi është zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Meta nuk u thirr në Komision. Komisioni e zhvilloi veprimtarinë në 4 mujorin e fundit të mandatit të tij, ndërsa ligji e parashikon që Komisioni nuk mund të ngrihet  nëse ka më pak se 4 muaj. Nëse Komisioni nuk mund të ngrihet me çfarë logjike mund të funksionoj. Kjo kërkesë do duhej të rrëzohej qoftë edhe për arsye procedurale. Kërkesa është produkt i një Komisioni i cili e ka kryer veprimtarinë në kundërshtim me ligjin.

Sipas Dacit Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë përfundim se çfarë konsiderohet shkelje e rëndë kushtetuese.

Jordan Daci: Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë përfundim se çfarë konsiderohet shkelje e rëndë kushtetuese dhe çfarë do të konsiderohet jo e rëndë. Shkelje e rëndë nënkupton shkelje e një neni kushtetues të dukshëm.

Teorikisht nesër nuk duhet të ketë një vendim për shkarkimin e presidentit sepse nuk është një vendim që merret kaq shpejt. Mendoj se Gjykata Kushtetuese do të tregohet e matur. Ne duhet të mbrojmë pavarësinë e institucionit të Presidentit të Republikës.

Në qershor të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë, votoi pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajësoi atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill, të cilat, sipas Kuvendit, kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Zjarr Tv Ad