Presidenti Ilir Meta, tha se ka firmosur kallëzimin e paralajmëruar penal, kundër Kuvendit të Shqipërisë, “për veprat penale të kryera në bashkëpunim, të falsifikimit të dokumenteve”. “Kallëzimi do të depozitohet në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës”, tha Meta në konferencë për mediat.
Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj, tha se kallëzimi është depozituar në SPAK për shkak se në të janë përfshirë funksionarë të lartë shtetërorë. Por do të jenë prokurorët, tha ai, që do të caktojnë se kujt i përket si kompetencë ky kallëzim.
“Krimi i falsifikimit është shumë flagrant, ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë, në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite kundër kreut të shtetit, Presidentit të Republikës, dhe ky krim, falsifikimi, tregon shumë qartë jo vetëm sesi ka funksionuar Kuvendi njëpartiak, por është një dramë sesi po funksionon edhe ky Kuvend me opozitë. Prandaj këtu kemi të bëjmë me themelet e Republikës që janë tronditur rëndë”, tha Meta.
“Kjo provë e re që vjen pas 8 muajsh kur procedura ka qenë antikushtetuese dhe e falsifikuar nga Kuvendi njëpartiak i shkarkuar më 25 prill, që kërkon të ligjërojë gjoja-procedurat, nuk është gjë tjetër veç se përpjekje për të finalizuar një grusht shteti kundër Kreut të Shtetit”.