Meta: Po vlerësojmë prova dhe të implikuar të tjerë në grushtin e shtetit!

0
12

Presidenti i vendit Ilir Meta deklaroi sot për mediat se “ne po vlerësojmë prova të tjera për persona të tjerë të përfshirë për të çuar deri në fund shpartallimin jo vetëm të kësaj tentative të grushtit të shtetit por edhe të të gjithë përpjekjes për të finalizuar grushtin e shtetit përmes rrëmbimit, me aktin antikushtetues, të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të sovranitetit të Shqipërisë, nga kjo bandë tepër e rrezikshme.

Ndaj në 2 mars, të gjithë shqiptarët në bulevard, në Tiranë, – theksoi Meta, pasi dorëzoi kallëzimin penal në SPAK ndaj Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, –  për të bërë të qartë se të gjithë shqiptarët janë me Kushtetutën, jo me Presidentin, se shqiptarët nuk do të tolerojnë më askënd të dhunojë Kushtetutën që ata votuan në 22 nëntor 1998 dhe rreziku më i madh është murtaja që quhet Rilindje, jo socialistët.”

“Është një akt i paprecedentë i kreut të shtetit, thoni ju, – iu tha Presidenti, gazetarëve. –  Më thoni, a ka ndonjë në botë a në Europë, të një vendi anëtar të KiE, të një vendi që synon të çelë negociata me BE, ku në mënyrën më mafioze i rrëmbehet kompetenca kushtetuese dhe pushteti, kreut të shtetit?!

Unë kam dalë në sheshin e betejës së vërtetë për çdo qytetar që dëshiron të jetojë, në liri, demokraci, në një shtet ku ligji është i barabartë për të gjithë duke filluar nga Presidenti deri tek qytetari më i thjeshtë.

Nuk ka ndodhur në asnjë vend të Evropës të shkelet Kushtetuta në këtë mënyrë, nuk ka asnjë vend në Evropë që të ngelet tre vjet pa Gjykatë Kushtetuese vetëm me qëllimin për ta kapur Gjykatën në këtë mënyrë mafioze dhe monstruoze siç e tregojnë faktet;

nuk ka vend në Evropë që të ketë mbetur një minutë pa Gjykatë të Lartë;

nuk ka vend në Evropë që të zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm me 69 vota kur Kushtetuta e thotë qartë me 84 vota;

nuk ka ndodhur askund që të ndodhin zgjedhje lokale në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e veta, zgjedhje njëpartiake që i neveriti vetë Kongresi i Autoriteteve Vendore duke abandonuar vëzhgimin e tyre;

nuk ka ndodhur askund një grusht i tillë shteti.

Puna vazhdon, provat vazhdojnë, implikimi vazhdon, të gjithë i pres në 2 mars kundër “murtajës” që do të zhbëjë shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe të ekzekutojë përfundimisht Kushtetutën e të gjithë shqiptarëve”.