Meta propozoi Bahri Shaqirin në KLSH, Manja: E pamundur drita jeshile

0
41
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Vetëm pak pas propozimit të Presidentit Ilir Meta, që Bahri Shaqiri të vihet në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mazhoranca paralajmëron rrëzimin e kësaj kandidature.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, thotë se “Përtej faktit të të bërit politikë, sinqerisht nuk arrij ta kuptoj pse qenka kaq e vështirë për ta lexuar shqip në germë dhe frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë?”

Ai thotë se kandidatura e Bahri Shaqirit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përveçse është një kandidaturë me profil të lartë politik, pasi vjen nga forumet drejtuese të LSI, ka edhe një problem serioz kushtetues.

Manja thotë se Kushtetuta e përcakton qartë si kriter të kandidatit për drejtimin e KLSH, ekspertizën në fushën e financave.

“Mbase zoti Shaqiri ka punuar me financat e LSI dhe këtë mund të ketë pasur parasysh kryetari në distance i LSI, Presidenti Meta, kur e ka propozuar. Por e para s’ka të dhëna publike për këtë aktivitet dhe e dyta edhe sikur të na i vinte në dispozicion këto të dhëena LSI-ja, prapë se prapë kjo nuk do ta zgjidhte problemin kushtetues të kandidaturës. Madje mund ta komplikonte atë. Natyrisht ky është thjesht një opinion personal juridik, po për sa i takon Komisionit të Ligjeve e shoh realisht të pamundur dritën jeshile për zotin Shaqiri. Për të cilin kam respekt për si e ka drejtuar SHISH-in në kohën kur qeverisnin zoti Berisha bashkë me zotin Meta”, shprehet Manja.

Ai cilëson si shqetësues faktin se në mënyrë të përsëritur, për të disatën herë radhazi, sipas tij, Presidenti Meta manifeston një mungesë të theksuar vullneti për ta lexuar shqip Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ulsi Manja e mbyll qëndrimin e tij duke thënë, “Ky po që është një problem edhe më i madh se sa pamundësia per t’i dhënë Ok kandidaturës së këshilltarit të tij”.

Zjarr Tv Ad