Meta: Rama po e rrënon qëllimisht integrimin në BE, nuk mund ta pranojë funksionimin e ligjit !

0
5
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se Edi Rama dhe qeveria qëllimisht po rrënojnë procesin e anëtarësimit në BE. Sipas tij, po e bëjnë këtë gjë sepse nuk mund të pranojnë funksionimin e ligjit.

Në një konferencë për mediat nga selia e PL, Meta tha se rezoluta e Parlamentit Europian (12 korrik 2023) për Shqipërinë pasqyron shumë qartë situatën tronditëse, që po kalon vendi.

“Rezoluta nënvizon me objektivitet që në çdo fushë Shqipëria është në krizë të thellë për shkak të një qeverisje që funksionon në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe interesit publik, e cila ka ndikuar në një humbje drastike të besimit që qytetarët tanë kanë tek e ardhmja në Shqipëri, duke shënuar ritmet më të larta të emigracionit masiv të rinisë dhe profesionistëve.

Kapja e të gjitha pushteteve nga qeveria ka dëmtuar shumë rëndë parlamentarizmin dhe llogaridhënien duke i hapur rrugë korrupsionit pa fre dhe të pandëshkuar.
Rama dhe qeveria qëllimisht po rrënojnë në këtë mënyrë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE pasi nuk mund pranojnë funksionimin e ligjit dhe transparencën, ndaj edhe shantazhojnë me çdo mjet, opozitën, median dhe çdo zë të pavarur si dhe kanë shkatërruar votën e lirë dhe të fshehtë”, deklaroi Meta.

Sipas tij, konstatimet në raport janë një skaner i vërtetë dhe i pamëshirshëm për narkoqeverinë e Edi Ramës.

“Ja disa nga konstatimet me kritikë të Rezolutës.
1- Shkeljet e rregullores në Kuvend;
2- Cungimi i rolit të opozitës parlamentare;
Shpreh shqetësimin e tij për zvogëlimin e hapësirës për rolin mbikëqyrës parlamentar të opozitës,
3- Refuzimi i komisioneve hetimore parlamentare
4- Shitblerja e votës dhe probleme të tjera me zgjedhjet;

Shpreh keqardhje për faktin që partitë kryesore politike nuk kanë arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore; u bën thirrje autoriteteve shqiptare të zbatojnë urgjentisht ndryshimet e pazgjidhura në kuadrin e financimit të zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias; u bën thirrje autoriteteve të garantojnë lirinë e organizimit, duke përfshirë partitë politike, dhe lirinë për të kandiduar në zgjedhje, duke përfshirë të gjitha pakicat dhe të gjitha seksionet e opozitës, pa ndërhyrje shtetërore ose të tjera të panevojshme, duke përmirësuar më tej aksesin dhe integritetin zgjedhor dhe duke parandaluar blerjen e votave dhe keqpërdorimin e burimeve administrative, duke përfshirë dixhitalizimin, mbrojtjen e të dhënave dhe aksesin e barabartë në media, në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i drejtë, i hapur dhe transparent;

5- Kundra amnistisë fiskalo-kriminale dhe pasaportave të arta;
Mbështet heqjen e dispozitave të projektligjit për amnisti fiskale dhe penale, si dhe skemën e propozuar të nënshtetësisë me investim (“pasaporta e artë”) që janë të papajtueshme me normat dhe politikën e vizave të BE-së dhe që mund të paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, korrupsionin dhe krimin e organizuar; vë në dukje, në këtë drejtim, pezullimin e shpallur të skemës “nënshtetësi për investim” dhe synimin e qeverisë shqiptare për të kërkuar ekspertizë të BE-së për rishikimin e projekt-amnistisë fiskale dhe penale”, deklaroi Meta.

Zjarr Tv Ad