Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës, njëherazi zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla. Meta shkruan se ka përgëzuar Kosovën për demokracinë e treguar në zgjedhjet lokale.
Meta në psotimin e tij shkruan se ka theksuar nevojën që Shqipëria dhe Kosova të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në lehtësimin e çdo pengese, që ekziston në zhvillimet në fushën politike, kulturore dhe ekonomike.
Postimi i plotë i Metës:
Kënaqësi të mirëprisja sot në takim Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës, Znj.Donika Gërvalla.
Përgëzova institucionet e Republikës së Kosovës për zhvillimin me korrektësi dhe në mënyrë demokratike të zgjedhjeve lokale, që u mbajtjen dje. Zhvillimi i zgjedhjeve lokale, nxjerrja si dhe pranimi i rezultateve paraprake nga të gjitha palët në proces është një shembull për të gjithë rajonin se si duhet të zhvillohen dhe administrohen zgjedhjet.
Theksova nevojën që Shqipëria dhe Kosova të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në lehtësimin e çdo pengese, që ekziston në zhvillimet në fushën politike, kulturore, ekonomike, tregtare dhe të gjitha sferat e tjera të jetës. Të dyja vendet tona, së bashku duhet të punojnë për forcimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe për përshpejtimin e proceseve të integrimeve europiane.