Presidenti Ilir Meta ndodhet në Prishtinë, ku sot ka zhvilluar një bisedë me me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin, Ramush Haradinaj. Teksa ndanë disa foto nga takimi Meta shkruan se në takim nënvizuan rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, në dobi të qytetarëve.
“I lumtur të nisja sot ditën me një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin, Ramush Haradinaj. Ndamë urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe nënvizuam rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, në dobi të qytetarëve tanë.
Në këtë kuadër, vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe me impakt zhvillues për tërë rajonin.
Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, si element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, theksova se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane”, shkruan Meta në postimin e tij.