Meta tregohet i prerë dhe me Ambasadorët/Ja çfarë u diskutua

0
2

Presidenti i vendit Ilir Meta ka zbardhur takimin e tij me ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri. Meta shprehet se i ka përcjellë ambasadorëve shqetësimet e tij për tjetërsimin e marrëveshjes së 5 Qershorit, paprekshmërinë e të cilës e cilëson të vetmen mundësi që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Kënaqësi të takohesha sot me Ambasadorët e vendeve anëtare dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, përpara publikimit të afërt të Raportit të Progresit për Shqipërinë.

U përcolla disa nga shqetësimet, por dhe angazhimin dhe përkushtimin tim të vendosur, për plotësimin e 6 kushteve të BE, realizimi i të cilave do të jetë përcaktues në nisjen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane.

Theksova se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kyç për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Paprekshmëria e frymës dhe gërmës së Marrëveshjes së 5 Qershorit është e vetmja mënyrë për të ecur në këtë drejtim”, shkruan Meta.

Edhe më herët presidenti Meta u shpreh se nëse marrëveshja e 5 Qershorit prishet atëherë cënohen zgjedhjet e 25 Prillit, dhe i vetmi fajtor për këtë do të ishte Edi Rama.