Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i ka përcjellë një mesazh urimi presidentit amerikan, Joe Biden për ditën e Pavarësisë së SHBA.
Meta shkruan se Shqipëria është e vendosur për të qenë në krah të SHBA, në shërbim të interesit të përbashkët të dy kombeve tona miq.
Postimi i plotë i presidentit Meta:
I nderuar Zoti President, Shkëlqesia Juaj Joseph R. Biden Jr.,
Viti 2022, shënon 246-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, dhe përkujtimit të udhëtimit dhe sakrificave të popullit të madh amerikan, në rrugën e lirisë, demokracisë dhe begatisë.
Arritjet mbresëlënëse të vendit Tuaj, kanë qenë dhe mbeten një burim frymëzimi për të gjitha kombet e tjera që aspirojnë për parimet universale të demokracisë, lirive dhe dinjitetit njerëzor.
I nderuar Zoti President,
Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot më 4 Korrik, në këtë ditë të shënuar, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju uroj Ju dhe popullit amerikan “Gëzuar Festën e Pavarësisë”, si dhe t’Ju shpreh urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe përparimin e sigurtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Ky mesazh urimi iu shkon edhe të gjithë shqiptaro – amerikanëve, të cilët kanë kontribuar pa rreshtur në forcimin e marrëdhënieve tona duke shërbyer si një urë lidhëse për miqësinë tonë afatgjatë e të fortë.
Kam kënaqësinë t’Ju përcjell i dashur zoti President, në këtë përvjetor të 246 të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, që përkon edhe me 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vëndeve tona, vendosmërinë e Shqipërisë për të qëndruar në krah të SHBA, në shërbim të interesit të përbashkët të dy kombeve tona miq.
Në këtë ditë të shënuar të Pavarësisë së vendit Tuaj dhe një shekull marrëdhëniesh diplomatike mes nesh, uroj forcimin e pandalshëm të lidhjes dhe miqësisë tonë të bekuar!
Ju lutem pranoni zoti President, sigurimet e vlerësimit tim më të lartë.