Presidenti i vendit Ilir Meta ka vlerësuar me Dekoratën e Lartë “Nënë Tereza”, Arqipeshkvin Metropolitan Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo. Kreu i Shtetit i shpreh mirënjohje për të gjithë shërbesën e tij të vyer njëzetë e pesëvjeçare në vendin tonë, mbi të gjitha për dashurinë e madhe që ka treguar për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe përuljen për shtresat në nevojë.
Postimi i plotë i Ilir Metës:
Sot, në vigjilje të Krishtlindjes, pata kënaqësinë e veçantë, që me praninë e të gjithë udhëheqësve të komuniteteve tona fetare, të vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, një prej personaliteteve më të shquara të Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot George Frendo.
Përjetësisht mirënjohës dhe falenderues, për të gjithë shërbesën e tij të vyer njëzetë e pesëvjeçare në vendin tonë, mbi të gjitha për dashurinë e madhe që ka treguar për Shqipërinë dhe shqiptarët, gjithmonë në shërbim me përulje për më të varfërit dhe shtresat në nevojë, duke i apeluar fort shoqërisë, autoriteteve dhe politikës, që të dëgjojnë zërin e tyre dhe të vendosin të mirën e përbashkët mbi interesat personale, duke menduar për vendin dhe qytetarët. Zemra e madhe e Imzot Frendos ka ndryshuar dhe ka ngrohur jetën e shumë familjeve dhe njerëzve të thjeshtë.
Ky shembull i jashtëzakonshëm përkushtimi ndaj nevojtarëve, na kujton Shenjtoren tonë të madhe dhe të gjithë njerëzimit Nënë Tereza, ndaj edhe vlerësimi i sotëm me këtë emër të madh, është mirënjohja e merituar, që kemi ndaj Imzot George Frendo.