Meta vlerëson Organizatën e Veteranëve të LANÇ me Dekoratën “Nderi i Kombit”

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot gjatë një ceremonie solemne Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare me Dekoratën “Nderi i Kombit”, “Për kontributin e pashembullt që ka dhënë e jep kjo organizatë në mbrojtjen e idealit të luftës për liri dhe transmetimit tek brezat e rinj të vlerave, sakrificave dhe vetëmohimit të treguar gjatë epopesë së lavdishme të luftës nacionalçlirimtare”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtues dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, deputetë dhe personalitete publike.

foto galeri foto galeri foto galeri 123PreviousNext
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta theksoi se kontributi i veteranëve ka shërbyer në mënyrë të jashtëzakonshme në mbrojtje të idealit të luftës për liri, ka mbajtur të gjallë vlerat, sakrificat, dhe guximin e jashtëzakonshëm të gjithë atyre që luftuan me trimëri të pashoqe kundër pushtuesve. Ai deklaroi se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare na ka ndihmuar të jemi krenarë e ta mbajmë kokën lart gjithmonë.

“Jam shumë i nderuar t’i akordoj sot Organizatës së Veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, Dekoratën ‘Nderi i Kombit’ me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Kontributi juaj ka shërbyer në mënyrë të jashtëzakonshme në mbrojtje të idealit të luftës për liri, ka mbajtur të gjallë vlerat, sakrificat, dhe guximin e jashtëzakonshëm të gjithë atyre që luftuan me trimëri të pashoqe kundër pushtuesve, por ju edhe me shumë besnikëri i keni transmetuar këto vlera të epopesë së lavdishme të kësaj Lufte Nacional-Çlirimtare edhe te brezat më të rinj.
Ne sapo shënuam 75-vjetorin e Çlirimit të vendit, por nderimi dhe kujtimi i paharrueshëm në respekt të thellë të gjithë atyre, që luftuan trimërisht dhe heronjve tanë, të cilët u vetëmohuan për të mbrojtur atdheun dhe lirinë është i rrënjosur thellë një herë e përgjithmonë në zemrat e shqiptarëve falë edhe punës së shkëlqyer që ju të gjithë bashkë bëni.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare na ka ndihmuar të jemi krenarë e ta mbajmë kokën lart gjithmonë.
Ju të dashur veteranë që jeni sot midis nesh jeni dëshmia e gjallë e rezistencës dhe fitores së lavdishme kundër pushtuesve, por edhe simbol i qëndresës, dinjitetit dhe kurajës së popullit shqiptar në ditët më të vështira”, theksoi Kreu i Shtetit.

Ai deklaroi më tej se Shqipëria u rreshtua në anën e koalicionit fitues, por ajo që është më e rëndësishme është se Shqipëria u rreshtua në anën e duhur dhe të drejtë të historisë.

“Ndaj ne krenohemi me ju, krenohemi me heronjtë tanë, të cilët edhe pse i përkisnin një vendi të vogël dhe për fat të keq të braktisur, treguan një heroizëm të madh dhe ishin të shumtë në numër. Pa 29 nëntorin e vitit 1944 nuk do kishim mundësi të festonim edhe 28 nëntorin e vitit 1912. Sepse pa çlirimin nuk do kishim rikthyer edhe pavarësinë e nëpërkëmbur më 7 prill të vitit 1939.
Lufta e popullit tonë ishte heroike, dhe heronjtë e saj, nuk ishin vetëm njerëz plot kurajë, guxim, dhe me dashuri të madhe për vendin, por shumë prej tyre ishin elita e shoqërisë së kohës. Ishin ndër njerëzit më të shquar të vendit, ndër më të mirët, më të talentuarit në shkolla dhe në të gjitha profesionet. Ishin shkrimtarë, ishin poetë, ishin artistë dhe sportistë. Shumë prej tyre u kthyen nga studimet jashtë vendit të etur për lirinë e kombit.
Të gjithë së bashku, burra dhe gra, intelektualë dhe punëtorë, të rinj pa fund, të ethshëm nga dashuria për atdheun dhe lirinë u bashkuan me një qëllim të përbashkët, për të luftuar kundër pushtuesve”, tha më tej Presidenti.

Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria ishte viktima e parë e agresionit fashist, por ishte edhe vendi i parë që ngriti flamurin e rezistencës kundër tij, duke dëshmuar se shqiptarët janë një popull liridashës dhe i panënshtrueshëm.

“Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte heroike dhe do të mbetet e tillë, jo vetëm në librat e historisë, por mbi të gjitha në zemrat e shqiptarëve edhe në të ardhmen dhe për këtë ju bëni një punë jashtëzakonisht të çmuar për të cilën ju jemi shumë mirënjohës.
Lufta Antifashiste kreu me sukses një mision historik epokal, i cili ishte çlirimi i atdheut dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare.
Falë asaj lufte, falë guximit tuaj gjithashtu të nderuar veteranë, falë gjakut të derdhur të heronjve tanë të shtrenjtë, ne kemi edhe lirinë që gëzojmë sot.
Ndaj do ju jemi gjithmonë mirënjohës heronjve tanë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por në mënyrë të veçantë edhe juve, veteranëve, të cilët punoni çdo ditë për të mbrojtur vlerat e kësaj lufte dhe për t’i transmetuar me dashuri dhe përgjegjësi te gjeneratat më të reja, në mënyrë që idealet e saj të mbeten gjithmonë të përjetshme”, deklaroi Presidenti Meta.

Ndërsa në një postim në “Facebook”, Meta shkruan se edukimi i gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit është sfidë e rëndësishme për të ardhmen.

“Në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, pata sot nderin e veçantë t’i dorëzoj Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për kontributin e përhershëm që ka dhënë e jep në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar.
Edukimi i gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit është sfidë e rëndësishme për të ardhmen.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë! Lavdi përjetë dëshmorëve dhe heronjve të Atdheut! 🇦🇱’

Zjarr Tv Ad