Pelegrinazhi në Malin e shenjtë të Tomorrit ka nisur dhe mijëra besimtarët kanë shkuar edhe këtë vit duke ndjekur traditën e nisur prej vitesh. Festa e Shenjtë e Bektashinjve organizohet nga 20-25 Gushti dhe mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth qindra mijëra pelegrinë.
Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit, pelegrinët kanë filluar një ditë më parë kjo për të shmangur trafikun dhe radhët e gjata. Sipas traditës ngjiten në mal, shkojnë në teqen ku marrin bekimin dhe vijojnë me qirinj në duart në vendet e përcaktuara.
Simbol i kësaj feste në Tomorr është bërja kurban e një dashi, si një simbol i larjes së mëkateve në familjet e tyre dhe marrjes së bekimit. Rruga për në malin e shenjtë tashmë është bërë e re dhe mjetet shkojnë deri në Teqenë e Kulmakut. Për në Çukë, rruga bëhet në këmbë.
Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit. Të parët që janë vendosur në malin e shenjtë të bektashinjve kanë qenë barinjtë e fshatrave të Skraparit, të cilët ofrojnë për pelegrinët kurbanët e festës.
Gjatë 5-ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre./newsbomb.al