Mijëra besimtarë myslimanë janë mbledhur ditën e sotme në sheshin Skënderbej për faljen e Fitër Bajramit.
Pas një muaji agjërim besimtarët myslimanë ashtu si në të gjithë botën kanë falur në orët e para të mëngjesit Namazin në sheshin Skënderbej duke shkëmbyer edhe urimet e para mes njëri tjetrit.
Edhe këtë vit, ceremonia u zhvillua në sheshin më të madh të kryeqytetit duke shënuar një numër të madh besimtarësh edhe për shkak të motit të mirë.
Pas faljes së Namazit, banorët drejtohen në shtëpitë e tyre për të vijuar pjesën tjetër të festimeve mes familjarëve.
Kreu i KMSH Bujar Spahiu ka përcjellë një mesazh për të gjithë besimtarët duke bërë thirrje për të rinjtë të mos e braktisin vendin por të qëndrojnë këtu për të forcuar kombin e tyre.
“Motra dhe vëllezër, kujdesuni që Kombi jonë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë. Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë!”