Rreth shtatë mijë gjoba janë vendosur nga Policia Rrugore e Tiranës në një javë, ndërsa dhjetëra patenta janë pezulluar për shkelje të ndryshme të drejtuesve të mjeteve. Policia ka qenë e fokusuar kryesisht në parandalimin e ngjarjeve rrugore, si dhe në ndëshkimin e atyre drejtuesve të mjeteve që abuzojnë me rregullat e qarkullimit rrugor.
– Gjatë javës janë kapur dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, për mitëdhënie, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, 27 shtetas.
– Gjatë javës janë pezulluar 115 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe qarkullim në sens të kundërt. Janë vendosur 6932 masa administrative, me një mesatare 990 masa në ditë.
– Janë bllokuar 10 mjete luksi, për mungesë dokumentacioni dhe me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar për verifikime të mëtejshme Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
– Janë tërhequr 32 leje qarkullimi, për detyrime të papaguara, si dhe janë hequr 12 palë targa të skaduara.