Deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli, përmes një interviste të dhënë në rubrikën “Opinion” në News 24, ka folur mbi çështjen e përjashtimit të ish-kryeministrit Berisha nga Partia Demokratike.
Kodheli u shpreh se duhej që tashmë të ishte vendosur një standard në politikën shqiptare, që cilido person i shpallur “non grata” në ShBA, nuk duhet të ishte pjesë e legjislativit dhe ekzekutivit.
Rastin e zotit Berisha, Kodheli e kaloi në një prizëm më të gjerë, duke u shprehur se problemi i politikanëve shqiptarë, qëndron në faktin se nuk dinë mënyrën si dhe kur duhet të dalin nga politika. Sipas saj, shembulli më i mirë që duhet të ndjekin është ai i kancelares Angela Merkel.
“Për njerëz që kanë qenë “non grata”, duhet të ishin jashtë Parlamentit, ky duhet të ishte një standarssd i vendosur tashmë.
Unë besoj se është në stanjacion, nuk ka asnjë ndikim. Është thjesht një problem i tyre. E vetmja gjë që duhet të them është që të zbatojnë një standard të cilit vetë e kanë kërkuar. Ashtu sç e kemi kërkuar ne dhe e kemi zbatuar. Do të vazhdojë të mbetet një problem i tyre, vjen nga më herët dhe nuk është një vendim i kryetarit Basha. Është një problem që daton herët, duhej menduar se do të vinte një ditë. Politikanët shqiptarë në mendimin tim kanë një problem të madh në përgjithësi e cila është mënyra si duhet të dalin nga politika, e para duhet të dish kur do të dalësh dhe e dyta është si do të dalësh.
Një lidere si Angela Merkel, e ka ditur se kur duhet të dalë. Është një mësim i madh. Mësimet janë aty, thjesht duhet t‘i përtypim dhe t‘i zbatojmë, të paktën të jemi të ngjashëm me ta. Nuk mund të jemi si ata, pasi duhet të rrjedhë shumë ujë që të kemi demokracinë e tyre, për momentin të paktën të jemi të ngjashëm me ta”, kështu u shpreh Kodheli.