“Minat me telekomandë i gjeta rastësisht, s’e dija çfarë ishin”, lihen në burg baba e bir në Shkodër, iu zbulua arsenal armësh në banesë

0
55
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjykata e Shkodrës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Petrit Kubazi dhe Gledis Kubazi, përkatësisht babë e bir, pasi këta dy shtetas u arrestuan për shkak se iu gjetën në banesë armë, mina me telekomandë dhe disa municione të tjera.

Mësohet se gjatë seancës për masën e sigurisë, Petrit Kubazi deklaroi në sallën e gjyqit se ai nuk ka patur asnjë informacion për gjithë atë municion që policia sekuestroi në banesën e tyre.

52-vjeçari pretendon se vetëm dy armët e gjahut janë me leje, ndërsa për pjesën tjetër e ka marrë vesh në komisariat pasi është arrestuar se janë gjetur në banesën e tij.

“Unë nuk e kam ditur aspak se ato armë dhe municioni ndodhej në banesën time. Vetëm kur kam ardhur në komisariat kam pyetur djalin dhe ai më ka thënë se i kishte gjetur një natë më përpara në një vend por nuk ka patur kohë të më tregojë sepse nuk jemi takuar dhe të nesërmen në mëngjes erdhi policia.

Armën e gjahut shotgun e kam me leje sepse unë jam gjuetar ndërsa arma tjetër sportive edhe ajo është me leje dhe është e një të njohuri. Sa i përket pjesës tjetër të armatimit nuk kam patur asnjë ide se janë në banesën time. Radiot që janë gjetur ato ka tre vite që i kam sepse blihen kudo në internet dhe i kam përdorur për gjueti për të komunikuar. Unë kam punuar gjithë jetën time dhe më pëlqen gjuetia ndaj nuk kam asnjë lidhje me municionet”, ka thënë 52 vjeçari.

Ndërsa djali i tij ka deklaruar se tri minat me telekomanda të lidhura me telefon, tetë kallepët e tritolit C4, kapsollat detonatore si dhe 50 fishekët, i kishte gjetur një natë para arrestimit, duke shtuar se nuk e dinte se çfarë ishin.

“I kam gjetur rastësisht një natë më përpara por nuk ia kam vënë rëndësinë dhe nuk e kam ditur se çfarë janë konkretisht sepse nuk i njoh. I kam marrë pa e ditur se çfarë ishin dhe kam dashur që ta pyes babain se çfarë janë por nuk kam patur kohë të flas me të sepse të nesërmen erdhi policia dhe nuk arrita që të komunikoj me babain”, mësohet të ketë thënë 20 vjeçari.

Zjarr Tv Ad