Plot 750 persona, të veshur si babagjyshë vrapuan në minimaratonën “Vrapo Babadimër” në Prishtinë, me qëllim mbledhjen e ndihmave për 500 familje në nevojë. Organizatori i këtij aktiviteti, Jusuf Islami thotë se, synimi i tyre ishte që të mblidheshin 1.000 babagjyshë, por pavarësisht se numri nuk u arrit, në krahasim me një vit më parë do të ndihmohen më shumë familje.
“Kjo është edhe ideja e fushatës. Duke e blerë kostumin, përveçse vjen e kënaqesh, ndihmohen edhe familjet. Këtë ditë ishte edhe maratona në Luksemburg. Është mbajtur në shumë vende të botës, e një prej tyre është edhe Kosova”, tha Islami.
Këtë vit, edicioni “Vrapo babadimër” u përkrah edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ministri Kujtim Gashi tha se, një nga arsyet përse e kanë mbështetur këtë projekt, është pjesëmarrja e personave me nevoja të veçanta, për të cilët premtoi përkrahje të mëtejshme.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e mbështet për herë të parë këtë projekt, duke pasur parasysh qëllimin e tij, i cili ka për karakter humanitetin”, tha Gashi.
I pranishëm në maratonë ishte edhe ambasadori britanik Ruairi O’Connell. Pas përfundimit të minimaratonës u vlerësuan fituesit në kategorinë e fëmijëve dhe të të rriturve. Në mesin e pjesëmarrësve pati edhe fëmijë me nevoja të veçanta.
Duke iu bashkëngjitur këtij aktiviteti, Kosova bën pjesë në 60 vende të botës, në të cilat mbahet kjo minimaratonë me karakter bamirësie.