Ministrja e Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj në një intervistë ka treguar sesi është njoftuar për postin e ri si ministre e Ekonomisë nga drejtoreshë e Tatimeve që ishte.
Ajo është shprehur se lajmin e ka marrë “live”, teksa u shpreh se nuk e priste që të merrte këtë post.
“Në fakt nuk e prisja. Isha e përqendruar në punën time dhe në të gjitha punët që kam bërë pasi dhe përpara se të isha drejtoreshë në Tatime , kam drejtuar INSTAT-in që është një tjetër institucion shumë i rëndësishëm. Kam qenë e përqëndruar në punën time dhe nuk kam parë punë tjetër. Siç thashë, kisha vetëm dy vite e pak që isha në atë institucion dhe kisha ndërtuar ëndrrat e mia brenda atij institucioni me qëllim që të realizoja objektivat deri në fund, por jeta është me sfida. Sfidat në këtë rast janë të bukura, të rëndësishme.” u shpreh Ibrahimaj.
“Unë jam njoftuar live, por sigurisht që kryeministri bën zgjedhjet e tij dhe është i bindur në zgjedhjet e tij dhe patjetër që unë e mirëprita lajmin”. Kryeministri është një person i cili sheh punën dhe jo gunën, sic thotë edhe populli. Pra, unë besoj që kam qënë zgjedhje e tij për këtë institucion të rëndësishëm për shkak të punës që kam kryer në institucionet që kam drejtuar më parë.” tha ajo ndër të tjera për “Kjo javë”.