Ministria e akuzave… Sandër Lleshi, gjenerali që ulet në vend të Xhafajt

0
101
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Fatmir Xhafaj e mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme më 23 mars të 2017-ës, pas dorëheqjes të Saimir Tahirit, duke qëndruar në këtë post për 19 muaj.

Ai është vënë në qendër të akuzave nga opozita, për shkak të implikimeve të vëllait të tij, Agron Xhafaj, i cili është dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal që kishte për synim trafikun ndërkombëtar mes Europës dhe SHBA të lëndëve narkotike.

Ndonëse akuzat nga PD kanë qenë të njëpasnjëshme edhe më parë, Xhafaj vetëm tani vendosi të jepte dorëheqjen.

Po kush është ministri i ri i Brendshëm që do të ulet në vend të Xhafajt. Sandër Lleshi nuk është një emër i panjohur. Me një karriere të gjatë, ai ka qenë deri dje i zgjedhuri i Ramës, si këshillar për mbrojtjen.

Në kohën e prezantimit të tij, në vitin 2013, Rama ka treguar disa detaje, mes të cilëve edhe fakti se emrin e tij e ka dëgjuar për herë të parë nga shkrimtari i madh, Ismail Kadare.

Kush është Gjeneral Sandër Lleshi

Sandër Lleshi prej vitit 2010 mban postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.

Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake.

Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani. Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.

Zjarr Tv Ad