Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, ka akuzuar opozitën se po bën propagandë dhe po i nxinë faqen vendit. Por sipas saj, edhe vetë deputetët demokratë brenda tyre janë të gëzuar për punët e mira të qeverisë.
“Nëse ju dilni dhe i nxini faqen këtij vendi pa të drejtë, se askush nuk ju ka thënë të mos bëni opozitë të vërtetë; nëse ju dilni këtu për të shkatërruar imazhin e Shqipërisë, unë nuk e di si e tregoni angazhimin tuaj për qytetarët e këtij vendi.
Sado që ju doni ta nxini këtë qeveri, brenda jush jeni të gëzuar se disa punë të mira po ecin në këtë vend. Që të fajësoni qeverinë, kjo padyshim është gjëja më e gabuar në këto momente. Që të bëni propagandë për të nxirë vendin, kjo është akoma dhe më e gabuar”, u shpreh Balluku nga foltorja e Kuvendit.
Gjithashtu, ministrja u shpreh se “Wizzair”, kompania e fluturimeve “low cost” ka sjell në Rinas avionin e saj të nëntë sepse udhëtimet janë shtuar. Edhe kompania franceze “Air France” ka njoftuar se do të sjellë në Shqipëri një avion në muajin korrik për një periudhë prove dy mujore.
Nëse fluturimet janë të qëndrueshme dhe ecuria është e mirë, tha Balluku, atëherë kompania do të sjellë një avion që do të qëndrojë në Aeroportin “Nënë Tereza”. “Ne në muajin qershor do hapim tunelin e Skërficës”, shtoi Belinda Balluku.