Ministrja Balluku inspekton punimet për rrugën e aeroportit të Vlorës: Investimet do japin impakt në të gjithë vendin

0
60
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rruga e cila do të lidhë aeroportin ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier-Vlorë po transformohet rrënjësisht duke përmirësuar standardet për qarkullimin e automjeteve, numri i të cilave do të rritet ndjeshëm sapo aeroporti të vihet në funksion.

Punimet për këtë aks u inspektuan nga zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe deputetin Blendi Klosi.

“E gjithë gjatësia e rrugës është 2.9 kilometra. Ka pasur një gjerësi prej 3 metrash, rrugë që shërbente vetëm për Akërninë. Tani ne kemi kaluar në një kurorë 12 metra të gjerë dhe me 9 metra asfalt. Është një rrugë kryesisht e drejtë, por duke qenë një zonë kënetore ka marrë shumë mbushje dhe kemi bërë dhe zhvendosjen e dy kanaleve”, informoi drejtori Berberi sa i takon këtij projekti.

Ndërtimi i aeroportit të ndërkombëtar të Vlorës, tha Balluku, ka nevojë edhe për të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për të cilat tashmë ka nisur edhe puna.

“Duke vënë re ecurinë e shpejtë që ka projekti i aeroportit të Vlorës ne na është dashur që të fillojmë t’i përgjigjemi me infrastrukturë. Kështu që gjëja e parë që ka nisur përveç të gjitha lidhjeve të tjera që kanë të bëjnë me OST-në, OSHEE-në, ujësjellësin është dhe rruga që është pjesë shumë e rëndësishme e të gjithë projektit të integruar që ka të bëjë me aeroportin ndërkombëtar të Vlorës”, tha ministrja Balluku.

Duke ju referuar investimeve në qarkun e Vlorës, Balluku tha aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti më i madh në Ballkan, duke qenë kështu një ndër investimet më të rëndësishme për ekonominë e vendit, teksa përmendi gjithashtu edhe tunelin e Llogarasë apo projektin ku tashmë ka nisur puna për portin në zonën e Triportit.

“Të gjitha këto investime në Vlorë nuk kanë vetëm impakt në qark, këto janë investime që kanë impakt në Republikën e Shqipërisë. Aeroporti do jetë më i madhi në Ballkan, i kategorisë 4E dhe i jep gjithë rajonit një mundësi të re për të akesuar pa përdorur hub-et. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, sigurisht Shqipëria dhe Kosova nuk kanë më nevojë për hub-e të fluturojnë në kontinente të tjera dhe këtë do e ofrojë Vlora. Jo vetëm që do ndikojë ekonominë shqiptare turizmin shqiptar, por do ndikojë edhe atë rajonal dhe nga ana tjetër e njëjta gjë është dhe me tunelin e Llogarasë. Tuneli i Llogarasë do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm jo vetëm për qarkun e Vlorës”, nënvizoi Balluku.

Për deputetin Klosi investimet, jo vetëm në bashkinë e Vlorës, por në të gjithë qarkun e kanë kthyer këtë zonë në një pol të rëndësishëm sa i takon zhvillimit turistik.

“Janë të gjitha investime të ndërlidhura me njëra tjetrën sepse nuk mund të kishte një aeroport në një Vlorë të pazhvilluar e cila tashmë ka marrë zhvillime shumë të mëdha infrastrukturorë. Padyshim nuk mund të ketë vetëm transportin ajror, na duhet dhe transporti detar. Prandaj investimet e mëdha që po bëhen në portat hyrëse detare të Vlorës do ta bëjnë Vlorën dhe gjithë jugun e Shqipërisë një pol të jashtëzakonshëm turistik”, u shpreh Klosi.

Aeroporti i Vlorës është vetëm një ndër kantieret e shumta që sot po zhvillohen në qarkun e Vlorës dhe që do të kenë impakt të madh ekonomik jo vetëm për zonën, por për të gjithë vendin.

Zjarr Tv Ad