Anulimi i një granti 27 milionë euro për Portin e Durrësit nga Bashkimi Evropian pak para miratimit në Kuvend të projektit që i hap rrugën transformimit të tij nga port tregtar në port turistik, u bë molla e sherrit të radhës në Parlamentin shqiptar më 24 nëntor. Në një kohë që zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë sqaronte se anulimi i grantit erdhi si rezultat i modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku prentendonte se bëhej fjalë për një kredi. Po ashtu, sipas saj, procedura e anulimit ishte kërkesë e qeverisë shqiptare, argument që e mbështeste mbi një sërë të pavërtetash.
“Kredinë e BE-së kam kërkuar unë me shkresë anullimin e saj me përgjegjësi të plotë në vitin 2019 kur nuk flitej fare për projektin e Muhamed Alabarit, as e dinim që do të vinte një ditë që porti i Durrësit do të kishte interes nga investitorët e huaj për t‘u zhvilluar në mënyrë turistike.” – deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë seancës maratonë të 24 nëntorit në Parlament për marrëveshjen e Portit të Durrësit.
Anulimi i parave në formë granti ndodhi pak para miratimit në Kuvend të marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian- Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit” – ndaj dhe një pjesë të diskutimeve të ashpra opozitë – qeveri gjatë seancës parlamentare për Portin e Durrësit i mori anulimi i grantit nga Bashkimi Evropian.
Sipas verifikimit të Faktoje rezulton se deklarata e ministres Balluku është e pavërtetë. E para, financimi i anuluar për kalatat e Portit të Durrësit ishte grant dhe jo kredi sikurse pretendon Balluku dhe këtë e vërteton më së miri dokumenti zyrtar i Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor që saktëson mënyrën e financimit të këtij projekti.