Qeveria po rishikon objektivat për rritjen ekonomike këtë vit, nga 4.1% në një nivel nga 3.2-3.5%. Pavarësisht performancës së mirë të fillimvitit, me rritje të të ardhurave tatimore, me një performancë pozitive të bizneseve dhe rritje të eksporteve.
Inflacioni i diktuar nga bursat botërore dhe mallrat që vijnë nga Bashkimi Europian, pritet të jetë mesatarisht 4.5% këtë vit, sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Qeveria planifikon të mbajë bordet për caktimin e çmimeve tavan, deri në kapërcimin e pasigurive që ka krijuar lufta në Ukrainë.
“Jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe bordet do të vazhdojnë të funksionojnë për sa kohë nuk ka siguri lidhur me përfundimin e konfliktit Rusi-Ukrainë”, tha Ibrahimaj. “Ky regjim nuk është as i kërkuar dhe as i dëshirueshëm nga ana e qeverisë”.