Në kuadër të kursimit të energjisë elektrike, ku në vjeshtë pritet edhe një përkeqësim i situatës, ministrja e Energjisë Belinda Balluku, ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi duke këshilluar qytetarët si të kursejnë energjinë.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, jepen rekomandime sesi të përdoret lavatriçja. Këshillat përfshijnë që të përdoret sa më pak gjatë javës dhe rrobat të lahen me 30 gradë.
‘Kursejmë energjinë që ta kemi!’ shkruan Balluku.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike nuk ka të ndalur. Sot një megavat në bursën e ndërkombëtare HUPX kushton mesatarisht 731.05 euro, nga 501.71 euro që ishte në të njëjtën datë të muajit të kaluar. Ndërsa në raport me 29 gushtin e vitit të kaluar rritja e çmimit për megavat është rritur me 8 herë, pasi vjet një megavat kushtonte 90.46 euro.
Në kuadër të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, vendet e BE kanë shkurtuar importet e gazit rus, dhe nga ana tjetër edhe vetë Rusia i ka kufizuar furnizimet e për pasojë ka vijuar rritja e energjisë.