Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Ukrainë që të largohen sa më shpejt.
Ajo e cilësoi situatën shqetësuese, teksa tha se në rast të luftës, do të jetë shumë e vështirë që Shqipëria të ndihmojë shqiptarët që ndodhen në Ukrainë.
“Të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike deri më tani nuk kanë dhënë rezultat. Bëhet fjalë për një situatë sa fluide aq edhe të paparashikueshme. Ashtu edhe si aleatët e tjerë në NATO apo në BE shpresojmë që nuk do të ketë luftë, por lufta është një mundësi reale. Është kjo arsyeja pse ashtu si edhe në vende të tjera u kemi bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që janë në Ukrainë apo udhëtojnë drejt Ukrainës që të largohen që andej sa më parë, apo që të mos ndërmarrin ndonjë udhëtim drejt atij vendi. Kjo është një thirrje e motivuar nga kujdesi dhe meraku që kemi për qytetarët shqiptarë pasi në rast se vërtetohet skenari më i keq, ai i luftës, do ishte shumë e vështirë për ne që t’u vinim në ndihmë apo t’i mbështesnim për t’i larguar nga Ukraina”, tha Xhaçka.