Kombëtarja U-19 është në ditën e tretë të përgatitjeve në kuadër të miqësores me Italinë U-19 që do të zhvillohet në qendrën stërvitore të Koverçanos më datë 10 gusht dhe do të startojë në ora 18:30. Skuadra e drejtuar nga trajneri Armando Cungu po stërvitet pikërisht në Koverçano për këtë test të rëndësishëm, që zhvillohet për të dytin vit radhazi duke u kthyer në një traditë tashmë. Duke folur për Fshf.org, tekniku kuqezi thotë se përgatitjet po shkojnë mirë dhe se kjo ndeshje është një mundësi shumë e mirë për të parë gjendjen e skuadrës para kualifikueseve të Europianit të moshës U-19.
“Kushtet e grumbullimit dhe stërvitjes janë thjeshtë ideale, për qendrën e Koverçanos flet vetë emri dhe historia që ka. Sigurisht është kënaqësi që na janë krijuar kushtet për t’u stërvitur në këtë qendër dhe besoj se është një mundësi shumë e mirë që tashmë për të dytin vit radhazi, duke u kthyer në një traditë, ekipeve Kombëtare U-18 dhe U-19 t’i ofrohen kushtet për të luajtur këto miqësore, – thotë Cungu. – Sa i përket gjendjes së ekipit, shpresojmë që të gjithë lojtarët të jenë në lartësinë e duhur në këtë moment të sezonit, duke qenë se të gjitha skuadrat janë në mesin e fazës përgatitore dhe duhet të shohim gjendjen e tyre fizike. Kemi pasur edhe dy lojtarë me temperaturë dhe uroj që ta kalojnë sa më parë këtë gjendje gripale e të mund të rikuperojnë që të jenë të gatshëm për të luajtur”, – shton trajneri, duke theksuar se Italia U-19 është një rival i fortë dhe se përfaqësuesja kuqezi do të bëjë maksimumin për të bërë një paraqitje sa më të mirë.
“Procesi stërvitor ka shkuar mirë deri më tani, përveç pjesës praktike në fushë kemi punuar edhe me pjesën teorike duke analizuar edhe kundërshtarin dhe skemat se si luan apo pikat e forta që ka. Po përpiqemi të bëjmë një punë sa më komplekse për të qenë sa më qartë para miqësores me italianët. Dihet që Italia është një superfuqi botërore në futboll, sapo janë kthyer nga një turne mesdhetar dhe kuptohet që janë në formë të mirë. Gjithsesi, ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirë në këtë test me të gjitha mundësitë që kemi”, – shprehet ai.
Sakaq, Cungu nënvizon se grupi aktual është thuajse i njëjti me atë që do të përfaqësojë Shqipërinë në eliminatoret e Europianit dhe se nuk pritet të ketë ndryshime të tjera, me përjashtim të ndonjë dëmtimi që mund të imponojë lëvizje në listë. Gjithashtu, trajneri thotë se kjo miqësore është e vlefshme për të kolauduar skuadrën para turneut zyrtar.
“Miqësoret janë gjithmonë të vlefshme për të parë gjendjen e ekipit dhe të lojtarëve në veçanti. Kjo është miqësorja e fundit për eliminatoreve të Europianit dhe është mundësia për të parë gjendjen e lojtarëve dhe këtij grupi, pasi është po ky grup që do të përfaqësojë Shqipërinë U-19 në Europianin e kësaj grup-moshe. Miqësorja është një shans që këto djem të luajnë bashkë pas kaq kohe dhe është shumë e rëndësishme që grupi të kolaudohet siç duhet. Kemi bërë shumë seleksionime dhe seanca stërvitore gjatë këtyre muajve për të bërë përzgjedhjet e duhura dhe për të parë të gjithë elementët e spikatur në aksion me kuqezinjtë. Niveli i Italisë është i njëjtë me ato të rivalëve që ne kemi në grupin e kualifikueseve të Europianit kështu që ky test na vlen për të matur forcat. Nuk besoj të kemi ndryshime në grupin e lojtarëve para Europianit, pasi nuk kemi më as kohën në dispozicion për të bërë eksperimente të tjera. Mund të ketë vetëm ndonjë ndryshim në listë të imponuar nga problemet fizike a shëndetësore”, – deklaroi ndër të tjera trajneri Armando Cungu.
Kombëtarja U-19 do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022/2023 me kuqezinjtë që janë shortuar në Grupin 7 me Belgjikën dhe Spanjën. Sfidat e këtij grupi do të luhen në Belgjikë në datat 21 dhe 24 shtator.