Janë miratuar me vota unanime 4 nënkryetarët e rinj të Partisë Demokratike. Nënkryetare të Partisë Demokratike do të jenë për herë të parë dy gra, Jorida Tabaku, e cila do të jetë përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe Grida Duma, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me shoqërinë civile.
Alfred Rushaj do të jetë nënkryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar ndërsa Enkelejd Alibeaj, do të jetë kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit, dhe njëkohësisht nënkryetar i PD.
Gjithashtu në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së janë miratuar edhe emrat e të gjithë sekretarëve të kandiduar nga kryetari Lulzim Basha.
Për Sekretare për Pronarët dhe cështjet e pronave, Basha ka nominuar Ledina Mandian, ndërsa Jonila Godole do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë. Basha ka krijuar Sekretariatin për Klimën e Biznesit për të cilin është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qakut Kukës, dhe sipërmarrësit Flamur Hoxha.
Garantimi i votës së emigrantëve do të jetë prioritet i PD. Prandaj në funksion të thithjes së ekspertizës, përvojës, mendimit, krijimit të mundësive për të kontribuar për një Shqipëri më të mirë, emigrantët dhe diaspora do të kenë një sekretariat të dedikuar. Ky sekretariat që mishëron prioritetin e Bashës për emigrantët dhe diasporën dhe që krijohet për herë të parë është propozuar të drejtohet nga Belind Kelliçi.
Oriela Nebiaj, që kontributin e saj të parë në PD e ka dhënë si zëdhënëse, për të vijuar si kandidate për kryesimin e FRPD-së dhe së fundmi me rikthimin si kandidate për deputete në Tiranë, do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere.
Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli. Në postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso.
Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.