Modelja, aktorja dhe prezantuesja televizive australiane, Annalise Braakensiek, është gjendur e pajetë në apartamentin e saj në Sydney.
Braakensiek, e cila u bë e famshme që prej moshës 16-vjeçare, duke u paraqitur në kopertinat e revistave dhe duke marrë pjesë në show të famshëm televizivë, u përfshi vitet e fundit në punë vullnetare në organizata për parandalimin e vetëvrasjeve teksa përpiqej të hidhte pas krahëve vdekjet e miqve dhe gjyshit të saj.
Trupi i modeles 45-vjeçare u gjet i pajetë ta apartamentin e saj në Sydney pasi miqtë ngritën shqetësime për të. Sipas “the Guardian”, ekzaminimi i plotë për të përcaktuar arsyet e vdekjes së modeles nuk është kryer ende, mirëpo nuk ka rrethana të dyshimta që të bëjnë të mendosh për një krim.
Aktorja dhe modelja australiane raportohet se po kalonte një periudhë të vështirë në jetën e saj pas divorcit nga bashkëshorti në vitin 2018. Vështirësitë pas ndarjes, modelja i kishte shprehur një muaj më parë edhe në rrjetet sociale.