Shefja per politike te Jashtme ne BE, Frederica Mogherini ka përsëritur mesazhin se vonesat në realizimin e reformës në drejtësi dhe bojkoti i Parlamentit pengojnë integrimi e vendit në BE.
“Në BE, ne jemi gati që të çelim negociatat në momentin që në Shqipëri fillon zbatimi i vettingut. Kështu që radhën e keni ju dhe unë kam qenë shumë e qartë në takimet e sotme se, ata që po përpiqen të vonojnë ritmin e reformave do të rrezikojnë integrimin në BE. Kam qenë e qartë edhe kur kam thënë se bojkoti i Parlamentit ndal procesin e integrimit të vendit në BE”, ka thënë Mogherini.
Më tej ajo ka sugjeruar se, “këto muaj që kanë mbetur para zgjedhjeve të përdoren për plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”.
Deklarata i bë pas takimit që zyrtarja e lartë e BE, pati në Tiranë me kryeministrin Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare ka bërë me dije se gjatë takimit me Mogherinin janë prekur edhe çështje të natyrës rajonale, për të cilat, siç ka thënë ai, bisedimet do të vazhdojmë.
“Jemi të bindur se çfarë kemi filluar të bëjmë me Komisionin në aspektin teknik, duke mos humbur kohë por duke hyrë në një proces të përbashkët pune që na bën të fitojmë kohë në raport me negociatat vjen në momentin e duhur dhe do të jetë një bashkëpunim i suksesshëm që do të dëshmojë se Shqipëria është gati për të negociuar anëtarësimin”, ka thënë Rama.