Kryeministri Edi Rama ishte sot në Ndroq, ku inauguroi 74 banesa të reja, të rindërtuara pas tërmetit. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë zbuloi bisedën me një demokrat. Sipas kryeministrit ky i fundit ishte i mërzitur, pasi shtëpinë e kishte marrë, por humbi partinë.
“I dhashë dorën një demokrati. Ishte shumë i mërzitur: shtëpinë e mora por partia më iku,- tha. Ne shtëpinë kishim për detyrë dhe ta dhamë siç ta kishim premtuar fals. Partinë nuk kishim detyrë të ta mirëmbanin. Shih e bëj tani për parti. Shih mos gjen ndonjë parti tjetër. Nëse nuk gjen jetër ne derën e kemi të hapur. Kemi dhënë prova se demokrat i mbajmë mirë, siç ishte kryetari i PD në Farkë kishte katër kurorë dhe mori katër shtëpi. Natyrisht i ndërtoi qeveria socialiste. Me katër shtëpi rrëshqet edhe ndonjë votë nga ne”, tha Rama.
Më tej kryeministri tha se rreth 300 banorë do të strehohen në banesat e reja, pasi i humbën të tyret për shkak të tërmetit të vitit 2019.
“Përtej këtyre shakave dua realisht që t’ju uroj çdo të mirë sot dhe më vjen mirë që afro 300 banorë të tjerë do të hyjnë në këto shtëpi. Nuk janë thjeshtë strehë, por banesa në një komunitet njësoj si resortet e atyre që janë më të kamur.
Shumë shpejt do të keni edhe qendrën shëndetësore këtu, edhe kopshtin, çerdhen. Patjetër keni edhe tokën aty ku e kishit në shtëpitë që iu prishën. Ajo është toka jua. Pra, ajo fjala që ne e patëm thënë besoj se sot është fakt që nga tërmeti, i cili dëmtoi shumë rëndë një pjesë të madhe të banorëve dolëm më të fortë. Të gjitha familjet që humbën shtëpitë, sot janë më të pasura”, tha Rama.