“Mori Shkodër moj mizore, pak u duke e shumë na dole…”

0
314
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Edi Rama u thye sot në Shkodër. Pak kush e kishte menduar se ky qytet do t’i ndalte “turrin” njeriut të gjithëpushtetshëm të këtij vendi. Shkodra iu doli!

Shenjat e para u dhanë rreth orës 08.30. Njoftimi për ndryshimin e sallës së konstituimit të këshillit bashkiak të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit nga Rektorati tek Biblioteka e Univesitetit, ishin sinjali i parë se Edi Rama nuk do të ishte ai që njohim të gjithë.

Presioni i PD-së dhe i qytetarëve, solli reflektim “in extremis” të shumicës së majtë. E në fakt, mbledhja e Këshillit në mjediset e ish- Komitetit të Partisë së Punës, do të ishte një provokim jo i vogël për Shkodrën.

Nga dritaret e asaj ndërtese, me 2 prill 1991, katër bijve të Shkodrës i’u ndal jeta në lulen e saj. E koençidenca ishte mjaft e rëndë: Sot është numri 2 i shtetit ai person që më 1991 ishte ministër i brendshëm i qeverisë së fundit komuniste në këtë vend. Normalisht, asnjë fajësim për askënd por kujtesa popullore nuk mund të shuhet aq lehtë.

Nuk dihet sa do ta ketë jetën e gjatë ky këshill që u konstituua sot, por ai ka hyrë në historinë e Shkodrës e Shqipërisë. Mbledhja e tij e parë, u zhvillua në një sallë të rrethuar me kangjella të forta hekuri. Përballë kangjellave kishte dhjetra forca policie e pas tyre, dhjetra forca speciale e FNSH.

Nëse mund të quhen të tilla, zgjedhjet e drejtuesve të Këshillit dhe të përfaqësuesve të tij në Këshillin e Qarkut, u bënë në thirrjet “poshtë qeveria”, “poshtë Edi Rama”, “kriminela” etj. Thirrjet në fakt nuk ishin aq shumë për ata brenda sallës por për Edi Ramën që sipas gjasave, e ka ndjekur gjithçka “live” për Shkodrën. E kjo kuptohet lehtë, kur poston në rrjete sociale projektin e vijës liqenore të Shirokës, duke e pagëzuar si të ishte çiflig i tij dhe jo pronë e përbashkët e qytetarëve, “Lungolago”.

Edi Rama mori përgjigje edhe nga PS-ja sot. Madje, përgjigje mjaft e fortë. Mungonte në konstituim Ditmir Bushati, sipas gjasave, në rrugëtimin final të ndarjes nga Edi Rama. Mungonte edhe deputeti tjetër Paulin Sterkaj, të paktën për suport moral, ashtu siç u bë edhe në konstituimin e bashkive të tjera të qarkut.

Por përgjigja më e fortë për Ramën erdhi pikërisht nga brenda sallës ku konstituohej Këshilli Bashkiak. Votim pa alternativë për kryetarin e Këshillit Bashkiak, sepse askush nuk jepte garanci që vota nuk do të çahej brenda “familjes”. Jo vetëm kaq, të gjitha votimet e tjera të hapura dhe madje vetëm me dorë, si në kohën e diktaturës. E që të gjitha, votime nominale, pra për individë që duhet të jenë të gjitha të fshehta. Ishte e qartë se kishte ngutje, ngutje për të kryer “detyrën e partisë” më shumë se një akt solemn për bashkinë e shkodranët.

E në fund, dorëzimi i plotë i Edi Ramës! Askush nuk guxoi të merret me mandatin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës. Thjeshtë u deklarua se Valdrin Pjetri ka depozituar dorëheqjen e tij në KQZ. Të gjithë skenarët për drejtim bashkie nga nënkryetarë, dështuan në Shkodër.

Thjesht iu kërkua institucioneve të zgjidhet situata sipas përcaktimeve ligjore.

Nuk ka asnjë dyshim se Edi Rama nuk është tërhequr nga “marrja e Shkodrës”. Por të paktën, një betejë të rëndësishme me Shkodrën e ka humbur. E për të gjetur humbjen pararadhëse, duhet të kthehemi shumë vite pas, tek dështimi i marrëveshjes së armëve kimike në nisje të mandatit të tij të parë.

E për ta përmbledhur, asgjë nuk vlen më shumë se vargjet: “Mori Shkodër moj mizore, pak u duke e shumë na dole…”. Por lufta në mes Shkodrës dhe etjse për të marrë çdo pushtet nga Edi Rama, vazhdon. Kjo është pak, por e sigurtë! /ShkodraWeb/

Zjarr Tv Ad