Mori të infektuarish mësues dhe nxënes/ Qeveria nuk merr asnjë masë

0
1

Partia Demokratike thotë se me përfundimin e javës së dytë të vitit të ri shkollor, situata në shkolla në të gjithë vendin është përkeqësuar, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë as për të frenuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit, as për të rritur cilësinë e mësimdhënies.

“Nga informacionet që disponojmë nga të gjitha shkollat e vendit, rreth 160 mësues dhe staf, si dhe mbi 100 nxënës janë të infektuar, por nuk është marrë asnjë masë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit.  Përkundrazi! Drejtuesit militantë në shkolla e mbajnë të fshehtë informacionin, me qëllim që të mbulojnë dështimin e partisë në pushtet me hapjen e shkollave pa asnjë plan”, tha Albana Vokshi, në një dalje për mediat nga selia e PD.

Sipas Vokshit, numri real duhet të jetë shumë më i lartë për dy arsye: “1. Tamponimi është bërë pak ose aspak; 2. Edi Rama ka urdhëruar kodin e heshtjes. Asnjë drejtues nuk bën transparencë e nuk informon stafin mësimor, prindërit e nxënësit duke krijuar një situatë shumë të rënduar psikologjike. Mësuesit, nxënësit së bashku me familjarët janë në panik që shkaktohet më së shumti nga pasiguria, frika që vjen nga mungesa e informacionit”.

Vokshi thotë se në shkolla nuk po respektohet protokolli i sigurisë, kushtet higjieno sanitare vazhdojnë të jenë të mjerueshme, dezinfektimi midis turneve nuk bëhet dhe nuk sigurohen as maska, as dezinfektonte, si dhe mësuesit janë të mbingarkuar, duke rrezikuar uljen e cilësisë së mësimdhënies.

“Qëndrimi me orë të zgjatura dhe të papaguara nga mësuesit po i çon ata drejt demotivimit. Për qeverinë e Edi Ramës mësuesit dhe nxënësit nuk janë prioritet, prandaj janë lënë në mëshirë të fatit.  Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë drejtuesve të shkollave të mos u binden urdhrave të pushtetit Edi Ramës ne dëm të shëndetit të mësuesve, të nxënësve dhe në dëm të cilësisë mësimdhënies. Është urgjencë kombëtare që qeveria të marrë disa masa elementare për të ruajtur shëndetin dhe cilësinë e mësimdhënies në shkolla.

1. Të bëhen testime masive serologjike e tamponim për të gjithë mësuesit dhe stafin ndihmës në çdo shkollë të vendit, në mënyrë të tq qartësohet harta e përhapjes së COVID19 dhe shkëputjes së zinxhirit të infeksionit.

2. Të mos lejojë zhvillimin e mësimit në ato shkolla, ku nuk përmbushet asnjë kusht higjeno sanitar. Qeveria të publikojë në ambientet e jashtme certifikatën e plotësimit të kushteve të përcaktuara në protokollin e sigurisë.

3. Të sigurojë dezinfektim për ambientet shkollore dhe maska falas për çdo mësues, si dhe për nxënësit e familjeve në nevojë.

4. Të kontraktojë mësues shtesë për të lehtësuar barrën e rëndë shkatërruese për mësuesit, si dhe të shpërblejë mësuesit për çdo orë shtesë”.