Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi i është përgjigjur kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, në lidhje me diskutimet nëse LSI ka pasur apo jo një ofertë për të dalë në zgjedhjet e 25 Prillit me një listë të përbashkët. Bardhi tha se Kryemadhi vazhdimisht ka qenë kundër daljes me një listë të përbashkët, pasi sipas tij kryetarja e LSI synonte të maksimalizonte rezultatin e partisë së saj.
“Nuk është mbledhur kryesia e PD sepse nuk ka pasur një dakordësi nga kryetarja e LSI për të patur mundësinë që ne ti kërkonim kryesisë të dilnim me një listë. LSI ka pasur qëndrim të vazhdueshëm kundër përfshirjes në një listë me PD.
Ata thoshin se do të maksimalizonin votën, në rast se do të dilnin me lista të veçanta, ju i mbani mend deklartata që ka bërë zonja Kryemadhi. Që thoshte se përmes ndryshimeve kushtetuese që u bënë në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama, LSI do të merrte më shumë se 40 mandate”, tha Bardhi.
Ai u pyet nga gazetarët dhe në lidhje me deklarimin që bëri Elona Guri, e cila tha se Bardhi nuk kishte pranuar që të bënte deklaratë kundër Suel Çelës, një personazhi të njohur të botës së krimit në Elbasan. “Nuk dua, nuk e njoh fare kush është zonja, unë kam dhënë me dhjetra konferenca për shtyp, ju jenui dëshmitarë, ato që u fshehën dhe nuk erdhën një ditë në Elbasan, janë arsyeja e vetme pse LSI nuk mori asnjë mandat për fat të keq në Elbasan.
LSI nuk ka bërë fushatë në Elbasan, ju besoj se e dini këtë. Nuk kam dalë këtu për të bërë raport për marrëdhëniet me LSI, ka pasur një deklaratë jo normale nga kryetarja e LSI”, u shpreh më tej Bardhi në konferencën me gazetarët.