Mos na zhgënjeftë ky SPAK!

0
14
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Josif Papagjoni – Pimë kafe dhe grindemi… Shqipëria ashtu, shqiptarët kështu, ne s’dimë të bëjmë shtet, vend i mallkuar, jemi ushqyer me gënjeshtra, robër të iluzioneve, popull mitoman, duam “lider” të fortë jo të zëvendësueshmit, domethënë duam satrapë, këtu sundon hajdutëria, droga, mjerimi, braktisja dhe ah!… Do Zoti t’i futin në burg të gjithë zullumqarët, se s’durohen më. Saliun të parin, thotë shkrimtari që kam pranë, kriminelin, vrasësin, ai që e ka bërë rrëmujë këtë vend që nga ’91, e dogji, i çoi gjeneralët dhe elitën e vendit të shesin banane dhe domate rrugëve, bëri 97-tën, lejoi firmat piramidale, dhe hala kërkon luftë të shpëtojë krimet e tij dhe paratë e fëmijëve, madje i thotë “tjetrit”, Ramës, se do ta kisha vrarë në kryeministri… I pari duhet futur brenda Iliri, ai që me një dorë nga “Gimi” fuste në xhep 700 mijë euro, pastaj vjedhja e thesarit me gomar dhe legjenda vazhdon, harruat ç’thoshte Sala: Ilir “floriri”. Po Luli, “çuni” i Saliut, që krijoi gjithë këtë krizë absurde, që doli nga parlamenti, dogji mandatet, precedenti i parë në botë eeeejjj, dorëzoi edhe pushtetin lokal dhe flaku nga puna mijëra demokratë hallexhinj, dhe pse? Po që të mbulojë 21 janarin dhe Rrugën e Kombit, ja pse. E ku ta çojmë tani atë, në Holandë për qejf apo që t’i bëjë shoqëri Salës dhe Xhikes? Eh, ndërhyn tjetri, po Nanua që bën qejf andej nga Austria, e harruat atë, pa u lagur ta kalojë ai, pa burg, thoni ju? Po ç’thua mo, ju harruat këtë të gjatin, Ramën, që na kalbi në taksa, kokrra e demagogut, bojaxhi fasadash, shifrash, fjalësh, llogje Kavaje, dhe i bëri njerëzit të marrin arratinë me hajdutëritë e fshehura si gjoja investime, PPP-të, rrugët, koncesionet. Eeeee, hidhet gjithë tërcëllimë i pari, Rama do fut në burg këta njëherë, pastaj e futin të tjerët me pas, ustallarët e SPAK, që i kanë dosjet gati si qoftet…

 


 

Dhe fjala vazhdon, grindja vazhdon, ndërsa shpresa rri e heshtur dhe përgjon. Pret Ungjillin e ri. Pret SPAK-un. Drejtësinë. Sëpata e Damokleut, e shoh, është ngritur lart, disa koka janë nderur si nëpër gijotina, dhe ajo, sëpata e gijotinës, po bie nën ulërimat e turmës së zemëruar, e popullit të poshtëruar e të mashtruar. Pritet një çlirim nën klithma ngazëllimi, kur pas hekurave, më në fund, hajdutët të duken lakuriq dhe mëria jonë të fashitet gjithsesi… Po sikur asnjëri nga këta mos të futet prapa hekurave dhe “peshqit e mëdhenj” të ambasadorit Donald Lu, të na kthehen në ndoca cironka? Ky do të ishte zhgënjimi më i madh, djathtas a majtas qoftë, i mirënjohur apo i panjohur, në turmën gri, të shastisur e të pagojë…

Dhe “gër-vërri” vazhdon, është një farë sporti, tifo, vrasje e kohës. Saliun e mbron Amerika, thotë shoku tjetër që rri përballë, pranoi muxhahedinët, ujgurët, shkatërroi elitën komuniste, ka bërë ç’i ka thënë ajo, amerikanët i ruajnë Pinoçetët e tyre që u shërbejnë. Sala ikën me azil politik diku nga vendet islamike, ku na futi pa pyetur kënd, një vend shumëfetar siç qemë ne… Do ikin të gjithë, ja ta shikoni, asnjë nuk do dënohet nga këta. Paret i kanë stoqe nëpër banka, fëmijët i kanë çuar jashtë në kolegje me çmime marramendëse, ku të bien leshtë e kokës t’i përballosh, ndërsa populli i mjerë, i keqpërdorur, populli budalla, populli i verbër mbetet në rrenë, mashtrim e zhgënjim, përherë…

M’u lodh koka nga diskutimi dhe damarët e fryrë të miqve të mi mbushur me zemërim të drejtë ndaj politikës e politikanëve pa moral të vendit dhe vrapova në det. U hodha. U freskova. Sikur me rierdhi mendja në vend. Dhe vura re se jeta ishte po ajo, se njerëzit i gëzoheshin plazhit po njësoj, se askush s’po e çante kokën për politikë, se qeshnin, shijonin, dashuroheshin, putheshin, se ndoshta marrja me politikë ishte një lëngatë, një sëmundje e keqe, një tullumbace, që duhej shpuar. Se politika të zymton, të errëson ngjyrat e jetës… Dhe ajo çfarë me ngazëlleu, vura re se turistët ecnin bregut trumba-trumba, ardhur nga tre kroçiera të mëdha që kishin mbushur gjirin e Sarandës (për herë të parë pashë tre të tilla njëherësh), dhe gjithkund flitej anglisht, shëtitorja qe stërmbushur me grupe francezësh, suedezësh, sllavësh, dhe shumë polakë, ca më shumë italianë… Kur u ktheva në tavolinë biseda kishte mbetur po aty: Saliu, Iliri, Luli, Rama, Monika… O zot, na janë futur këta njerëz në mendje si mushkonjat dhe vemjet, janë ulur galiç aty dhe s’shkulen, edhe në sezonin veror. Ç’është kjo hipnozë kështu? Ç’janë këta njerëz që rrëmbejnë lirinë tonë dhe na helmojnë shpirtin? Pse merremi kaq shumë me ta, ditë e natë dhe një kafe miqsh e kthejmë gati në sherrnajë? Si mund ta quash këtë sindrom? Mos jemi krejt si komb në një gjendje jermi, amoku, mazohizmi? Mos bëjmë kështu një farë vetëfshikullimi ekzorcist si për të dëbuar djajtë brenda nesh përmes djajve të politikës që tallen jashtë nesh? Pse s’i flakim këto bëzhdile por i dorëzojmë emocionet tona të dëlira, vullnetet dhe lirinë tonë të shenjtë e të bukur te këta të pafytyrë e të pamerituar. Dhe saora i dhashë përgjigje vetes: Se ende nuk jemi të lirë, se ende vuajmë gravitetin e rëndë të historisë sonë të gjymtuar, asaj antropologjike (ndofta!), asaj sociale dhe se fundmi asaj demokratike; se prej kësaj elite të korruptuar në këta 30 vjet, djathtas e majtas, dhe pushtetit që ata e shndërruan si pronë familjare e klanore për t’u pasuruar përmes hajnisë, varej jeta jonë, mjerimi apo begatia jonë, fati ynë dhe i fëmijëve tanë. Se ne nuk dimë ta delegojmë ndryshe pushtetin që na jep vota. Se jemi më shumë ithtarë, “partizanë”, fisnorë, ca më shumë emocionalë, pasionalë e inatçinj, se sa racionalë dhe moralë; se jemi më shumë përjashtues sesa pranues. Se na kanë mbirë gjithfarë liderucësh me partiçka që riciklohen në Kuvendin Popullor për 20 e më shumë vjet si Mediu, Shehu, Doshi, Vasili, Ndoka dhe gjithfarë “okash” të tjerë, që s’duan të ikin por mbërthehen me kthetra e dhëmbë pas politikës dhe thithin ç’mund të thithin ende nga trupi i lodhur i Shqipërisë. Dhe s’kanë turp! Dalin dhe shesin brofka në ekrane, të japin dhe “mend”. Të neveritshëm…

Dhe që të ndodh ndryshe, këta njerëz duhen refuzuar, duhen qitur jashtë mendjes sonë, duhen flakur më në fund në kosh. Madje, kjo klasë e korruptuar po helmon edhe të rinjtë… Po ndiqja në drekë një bisedë, dhe një gocë e re, me pozitë të lartë në një parti, as pranonte dhe as hante arsye, e quante legjitime djegien e mandateve, precedentin e krijuar në rang botëror, “përplasjen civile” e gjykonte si të domosdoshme, ndërsa refuzimin e ndërkombëtarëve i quante ndoca burokratë të paguar a të mashtruar. Hej pikë e zezë, thashë me vete dhe e mbylla televizorin, tani edhe kjo ka mbetur të na japë leksione?!… S’paska ky vend njerëz të mençur, por duhet këmbët të vihen në vend të kokës. Ç’janë këto hierarki të përmbysura politike kështu?! Dhe dola jashtë. U bëra për t’u hedhur në det. Dhe u hodha për herë të dytë…
Turma e lakuriqtë njerëzore me petka të lehta vere ngazëllehej me detin dhe vetveten teksa syri me mbushej me imazhe përtëritëse. Dhe u bëra gati besëtyd: Aman ore, kur do të fillojnë këta të SPAK-ut të nisin pastrimin e stallës politike që ky vend e ky popull të marrë një gulç frymë. Njeriu e duron edhe varfërinë e tij, por padrejtësinë dhe hajninë jo. Dhe një padrejtësi qeveritare nuk zmbrapset me një padrejtësi opozitare të verbër, që zbrazi gjithë depot e piroteknikës dhe i vërviti bombat molotov mbi institucionet e shtetit dhe policinë, flaka në majë, në dreq të venë të gjitha! Kjo opozitë e etur për pushtet dukej se përmes bombave molotovë do të vinte në pushtet, si me kufomën e keqpërdorur të Azem Hajdarit dikur dhe djegien e Kryeministrisë, njësoj si të përbetuarit e Dostojevskit, njësoj si 200 petritat-komunista lule, që do ta digjte vendin, nuk do lejonte të bëheshin zgjedhjet në vend dhe Edi Ramën do ta zvarritnin bulevardit. Ndërsa ky i fundit s’di ta gjejë udhën dhe dritën e kompromisit, të bëjë një centimetër tërheqje, përkundrazi u sajuan një palë zgjedhje qesharake, nën trysni, pa privatësi, duke goditur mu në zemër parimin e pluralizmit etj, etj… Kjo “nyje gordiane”, edhe kësaj here u pre mespërmes nga shpata e qëndrimit amerikan. Ashtu si Dora e Zotit, SHBA, u dha një mesazh-ultimatum qëndrimeve intolerante e irracionale, që sfidojnë e delegjitimojnë sistemin, duke kërcënuar se do të konsideroheshin organizata terroriste e jolegjitime çdo grup, parti e lidership që prishte zgjedhjet dhe krijonte përplasje civile. Dhe dikush, ndofta, e pa veten vërtetë pas hekurave dhe i foli mendjes. He-he, se s’bëhet shaka me amerikanët!…

E gjithë kjo tablo e zymtë politike, kjo varfëri, kjo pamundësi jetese, largimi i rinisë dhe vrasja e shpresës, kërkon urgjentisht dorën e drejtësisë për të larguar këtë elitë të papërgjegjshme, që ka përgjegjësinë kryesore. I pamë gjyqtarët, që nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Zaganjori, e deri poshtë, se si katandiseshin para vetingut. I pamë kryprokurorët, nga Adriatik Llalla me miliona fshehur, e pamë dhe Dakon teksa amerikanët i njoftuan mandatën. Janë me qindra. Dhe s’janë kurrgjë. Ne vetë i mitizojmë. Sistemi i kalbur që kemi i riciklon. Them se kështu do të ndodhë së shpejti me gjithë hajnat e politikës. Unë e di se zgjidhja s’është magjike, por shpresoj se një reflektim i madh kombëtar do të nis paskëtaj. Drejtësia, më në fund, do t’i kallë datën çdo hajduti dhe shkelësi të ligjit, dhe pikërisht këtu do të nis ngritja jonë, katarsisi ynë kombëtar, duke luftuar mykun e ardhur nga trashëgimia historike, ajo orientale, zogiste, komuniste dhe kinse demokratike me korrupsionin e futur mu në qelizë, në vetëdijen tonë, gjer te fukarai i fundit, që mendon se pa lekë në këtë Shqipëri nuk bëhet asgjë, se asnjë vend pune s’fitohet dot, se konkurset janë gënjeshtra institucionale, se administrata vazhdon të jetë politike, e emëruar, preferenciale dhe se gjyqet i fitojnë përherë të larguarit nga puna, se universitetet janë vënë përballë një grope të madhe, se hajnia, se droga, se varfëria… se mediat dhe gjithë shpura e analistëve politikë që të nxjerrin trutë e kokës dhe hiqen si të mençurit a Sokratët e kohës, teksa futin në xhep pagesa të majme me dokrrat e tyre – gjithë këtë zhgan ndyrësirash, nëse përdor një shprehje të Mjedës, Shqipëria ka për ta vjellë. Duhet ta vjellë. Në fundin e fundit. Sepse shpresa dhe drita, thoshte Shekspiri te Mbreti Lir, lind pikërisht atëherë kur duket sikur gjithçka ka humbur dhe errësira kaplon gjithandej… Bash në atë moment dëshpërimi lind ajo, SHPRESA. Shpresa është SPAK. Mos na zhgënjeftë ky SPAK e mos qoftë një rreng tjetër i mashtrimit! Atëherë, le të shpresojmë!…

Zjarr Tv Ad