“Moskandidimi im ishte i padrejtë, partia nuk është pronë private”, shprehet Ditmir Bushati: Marrëdhëniet me Ramën nuk janë të rëndësishme, objekt bisede në kafene

0
47
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ditmir Bushati në një intervistë ka folur në lidhje me raportet që ka me kryeministrin Edi Rama.

Ai edhe një herë tha se vendimi i Ramës për mos e futur si kandidat në zgjedhjet e 25 prillit ishte i padrejtë.

“Besoj se marrëdhëniet personale, raportet, ulje-ngritjet e marrëdhënieve personale nuk janë të rëndësishme për opinionin publik, sepse bëhen objekt telenovelash e bisedash nëpër kafene, sesa të sjellin diçka konkrete.

E rëndësishme është që në një parti politike të ketë rregulla, sa i përket bashkëjetesës demokratike, qoftë edhe ku anëtarë të ndryshëm të forcës politike mund të kenë pikëpamje të ndryshme apo pikëpamje alternative për mënyrën se si mund të jetë më efektive dhe më e suksesshme forca politike. Nëse pikëpamjet e mia janë efektive apo konstruktive, kjo është një çështje tjetër.

Është e rëndësishme që partitë të jenë organizma të gjalla, sepse nuk janë prona private, por janë të mira publike dhe kanë një raport shumë të rëndësishëm me shoqërinë.

Kështu e kam konceptuar unë edhe pozicionin dhe aktivizimin tim brenda radhëve të PS, i bindur se ne nuk mund t’i flasim vetëm kërthizës sonë, por duhet t’i drejtohemi shoqërisë, sidomos kur jemi një forcë në qeverisje për të tretin mandat radhazi, precedenti i parë në pluralizmin e Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme për të ndërtuar një model sa më të drejtë mes qeverisjes në nivel qendror e vendor dhe shoqërisë”.

Marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama

Në kryesinë e PS unë kam qenë që prej vitit 2011, jam zgjedhur edhe për herë të parë, është hera e tretë që vijoj të jem, për sa kohë do kem besimin e shokëve dhe shoqeve për të cilat kam bërë dhe bëj beteja, do vijoj ta ushtroj me maksimumin e fuqive të mia njerëzore dhe intelektuale e fizike. Jam i vendosur për të mos ushqyer asnjë telenovelë apo bisedë kafeneje. Janë çështje që nuk kanë interes publiku. Publiku ka interes për të ditur kontributin, pikëpamjet që unë kam apo aktivitetin politik që unë zhvilloj.– tha Bushati në “Kjo javë”.

‘’Besoj se nuk ka diskutim që vota në Asamblenë Kombëtare ishte një lloj mbështetje për aktivitetin dhe kontributin tim, sepse PS ka investuar tek unë, siç jam përpjekur unë për të investuar dhe që do vazhdoj të jap kontributin tim në këtë forcë politike, pavarësisht funksioneve që do të mbaj ose jo. Sa i përket çështjes së kandidimit, e kam thënë që ka qenë një vendim i padrejtë në gjykimin tim, por kjo nuk më bën të heq dorë nga angazhimi im për PS dhe me PS.’’– tha ai ndër të tjera.

Zjarr Tv Ad